FFK-ja nuk i publikon testet e kryera në laboratorin që e njeh UEFA, zbulon testin e kryer në laboratorin e Devollëve

  • E.K /
  • 09 September 2020 - 18:56
 FFK-ja nuk i publikon testet e kryera në laboratorin që e njeh UEFA, zbulon testin e kryer në laboratorin e Devollëve

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) lë shumë për të dëshiruar për kah transparenca. Derisa e nisi dhe e mbylli në fshehtësi absolute procesin e dyshimtë të shitjes së të drejtave televizive për “Artmotion” që është në pronësi të Devollëve, pa ua dhënë asnjë sqarim klubeve që i zhvillojnë ato ndeshje të shitura,  shtëpia e futbollit mban në fshehtësi edhe informata që janë mjaft aktuale dhe në interes të opinionit, shkruan Express.

Kosova luajti më 3 shtator në Itali kundër Moldavisë. Një ditë më herët e gjithë ekspedita kosovare kishte dal negativ në testet e COVID-19 të kryera në laboratorin e licencuar të UEFA-s, SynLab.

Kosova është kthyer në Prishtinë nga Italia më 4 shtator. Atë ditë u janë bërë testet gjithë ekspeditës që ishin në Itali dhe që do të duhej të ishin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pra, para ndeshjes me Greqinë në Prishtinë ekspedita kosovare i ka kryer testet e COVID-19. Por, FFK-ja nuk ka lëshuar asnjë informatë nëse ka dalë dikush nga ekspedita kosovare pozitiv apo të gjithë, futbollistë, trajnerë dhe zyrtarë federate, kanë dalë negativ.

Në FFK nuk flet askush as sot për këtë punë përkundër interesimit të Gazetës Express. Ndërkohë, burime të afërta me zhvillimet thonë se në testet e COVID-19 të kryera me 4 shtator në laboratorin e licencuar të UEFA-s, SynLab, kanë rezultuar pozitivë dy anëtarë të ekspeditës kosovare. Për njërin thuhet të jetë një anëtar i shtabit teknik të Kombëtares, i njohur për redaksinë, dhe i dyti thuhet të ketë qenë Agim Ademi.

Dje ka qarkulluar një lajm se pozitiv ka dal Agim Ademi, i cili nuk ishte prezent në ndeshjen e së dielës Kosovë – Greqi. Por, Ademi e mohoi lajmin duke i publikuar dy rezultate që e nxirrnin negativ në dy teste që i kishte bërë në Prishtinë. Ademi kishte rezultuar negativ në testin e kryer në IKSHPK dhe në testin tjetër që e kishte kryer në laboratorin e Devollëve. Të dyja këto teste i kishte kryer brenda një dite, më 5 shtator, një ditë pasi ekspedita kosovare i kishte kryer testet në SynLab të licencuar nga UEFA, testet e vetme të cilat i njeh UEFA. Por, FFK nuk ka publikuar informatë se si kanë dalë rezultatet e testit të 4 shtatorit, duke i arsyetuar kështu dyshimet. FFK e ka një zyrë informative mjaftë të mangët.

(Kosova Sot Online)