Griezmann reagon ashpër ndaj thashethemeve për largimin e tij nga Barcelona

  • S.A /
  • 10 September 2020 - 10:03
Griezmann reagon ashpër ndaj thashethemeve për largimin e tij nga Barcelona

Antoine Griezmann nuk mund ta kuptojë përse njerëzit vazhdojnë të flasin për largimin e tij nga Barcelona, duke këmbëngulur se dëshira e tij është të qëndrojë në Camp Nou.

Përfaqësuesi i Francës e përjetoi një sezon të keq debutues në Barcelonë, pasi iu bashkua asaj nga Atletico Madridi për 120 milionë euro vitin e kaluar.

Ai i shënoi 15 gola në të gjitha garat, por shpesh iu kërkua të luajë jashtë pozitës së vet dhe pati vështirësi të zërë vend titullari kah fundi i sezonit.

Si pasojë, ka pasur thashetheme se ai mund ta kalojë në klube si, Paris Saint-Germain, Manchester United, Arsenal, Liverpool dhe Atletico, por ai këmbëngul se nuk e ka ndërmend të largohet nga Barcelona.

“A është e ardhmja ime në Barcelonë? Po. Nuk e di pse njerëzit shpikin destinacione për të parë nëse një ditë do t’ia qëllojnë”, tha Griezmann.

“Jam shumë mirë në Barçë. E di që e kam besimin e klubit dhe të trajnerit. Ka qenë një sezon shumë i komplikuar për të gjithë ne, por do t’ia nisim nga fillimi”, shtoi ai.

Griezmann ka kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2024.

(Kosova Sot Online )