FSHF zyrtarizon shtyrjen pa afat të Superiores

  • A.P /
  • 10 September 2020 - 17:07
FSHF zyrtarizon shtyrjen pa afat të Superiores

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar përmes një vendimi qarkullues kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e kampionatit të Kategorisë Superiore 2020/2021 për një afat të pacaktuar.

“Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së më datë 10.09.2020, pasi u njoh me kërkesën e paraqitur nga Liga Profesioniste për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020/2021 vendosi të miratojë kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e datës së fillimit të sezonit futbollistik 2020/2021 me afat të pacaktuar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, – shkruhet në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Kjo kërkesë e anëtarëve të Ligës Profesioniste të Futbollit vjen si pasojë e mungesës së një reagimi nga Qeveria shqiptare për kërkesat e paraqitura nga Liga nëpërmjet letrës dërguar më datë 10.08.2020 Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Kujtojmë që vendimi për bojkotimin e Kategorisë Superiore u mor në unanimitet gjatë mbledhjen e Anëtarëve të Ligës Profesioniste të Futbollit të datës 05/09/2020, raporton SS.

(Kosova Sot Online)