“Plot oferta konkrete për Rashicën”

  • S.A /
  • 11 September 2020 - 12:27
“Plot oferta konkrete për Rashicën”

Drejtuesit e Werder Bremenit konfirmojnë se për yllin kosovar kanë arritur disa oferta konkrete, të cilat do t’i shqyrtojnë me kujdes

Klubet e shumta evropiane po lakmojnë ta kenë në gjirin e tyre Milot Rashicën.

Për këtë sigurojnë drejtuesit e Werder Bremenit.

Drejtori sportiv, Frank Baumann thotë se ylli kosovar do të largohet nga Werderi në javët në vazhdim.

Ndërkohë, ai konfirmon se ka marrë jo pak oferta konkrete për ish-futbollistin e Vitesses.

Së fundmi spekulohet se interesim për 24 vjeçarin kanë shfaqur Aston Villa e Leeds United në Angli, Napoli në Itali dhe Leipzigu në Gjermani.

Baumann është i bindur se Rashica do të largohet nga klubi aktual para 5 tetorit, kur edhe do të mbyllet afati kalimtar.

“Mund t’ju njoftoj se ka lëvizje në këtë afat kalimtar. Është e qartë se shumë klube kanë shprehur interesim për Milotin. Disa prej klubeve më kanë bërë oferta konkrete për lojtarin. Sa më shumë para që janë në qarkullim, aq më mirë për ne”, deklaroi Baumann në konferencë për shtyp.

“Ne i kemi idetë tona të qarta. Është e qartë se Milot Rashica do të largohet prej këtu në këtë afat kalimtar. Por, nuk është komplet e pamundur që ai të mbetet lojtar i Werderit edhe pas 5 tetorit”, vazhdoi ai.

Në këtë pikë, Werderi është duke pritur ende ofertë konkrete prej 25 milionë eurosh për Rashicën.

Përfaqësuesi kosovar ka kontratë me klubin gjerman deri në vitin 2022.

Miloti i ka realizuar 11 gola dhe i ka bërë 8 asistime në sezonin 2019/2020 me ekipin gjerman.

Rashica në përgjithësi i ka zhvilluar 74 ndeshje me Werderin, duke i realizuar 24 gola dhe i ka bërë 14 asistime.

(Kosova Sot Online )