Mourinho sulmon ligën për kalendarin, kërkon edhe një sulmues

  • E.K /
  • 12 September 2020 - 11:51
Mourinho sulmon ligën për kalendarin, kërkon edhe një sulmues

Tottenhami do të nisë sezonin e ri nesër në orën 17:30 me sfidën përballë Evertonit në Londër, ndërsa trajneri Jose Mourinho është shfaqur në një formë mjaft të mirë që në daljen e parë për mediat.

I njohur si një njeri mjaft polemik, që bën gjithmonë zhurmë për të mbajtur skuadrën e tij larg presionit, tekniku portugez ka sulmuar këtë herë drejtuesit e Ligës Angleze për kalendarin, pasi “Spurs” do të detyrohen të zbresin shumë shpesh në fushë që në start.

“Nuk e di kush ka qenë ajo mendje e zgjuar që ka hartuar kalendarin, pasi do të luajmë të dielën, të martën, të enjten dhe sërish të dielën… Nuk mbaron me kaq, pasi këtë do ta bëjmë për dy javë me radhë. Tottenhami është një klub që synon të fitojë trofe në të gjithë kompeticionet ku merr pjesë, ndaj jemi të detyruar t’i respektojmë, duke hedhur në fushë më të mirët, por me këtë kalendar të ngjeshur është jo njerëzore t’i bësh futbollistët të luajnë aq shpesh”, u shpreh portugezi.

Më pas trajneri foli edhe për merkaton, ku pranoi se ka nevojë për një përforcim në repartin e sulmit, fjalë të cilat konfirmoi se ua ka bërë të ditura edhe drejtuesve të klubit, ndërsa pranoi se Danny Rose është drejt largimit.

“Kemi nevojë edhe për një sulmues tjetër të mirëfilltë, pasi kemi vetëm Harry Kane në atë rol. Ai është një nga më të mirët në botë, por është e pamundur të përballojë një sezon të tërin i vetëm dhe këtë e kanë të qartë edhe drejtuesit. Danny Rose te Genoa? Do të thotë që ata po marrin një futbollist shumë të mirë. Unë kam konsideratë për Rose, por ne jemi të kompletuar në atë rol, ndaj i kemi thënë të gjejë një tjetër destinacion”, deklaroi Mourinho.

(Kosova Sot Online)