Liverpooli e shet Shaqirin për ta blerë Thiagon

  • G.G /
  • 14 shtator 2020 - 14:15
Liverpooli e shet Shaqirin për ta blerë Thiagon

“Reds” janë mjaft të interesuar për mesfushorin spanjoll dhe po mendojnë të shesin lojtarë, përfshirë këtu edhe yllin kosovar, vetëm për të arritur deri tek futbollisti i Bayern Munichut

Liverpooli është i gatshëm për të bërë sakrifica vetëm për të ardhur deri tek Thiago Alcantara.

“Reds” janë të interesuar për mesfushorin spanjoll, të cilin Bayern Munichu e vlerëson 30 milionë euro.

Për këtë, mediat angleze shkruajnë se kampioni aktual anglez po planifikon t’i shesë tre lojtarë, përfshirë këtu Xherdan Shaqirin, Alex Oxlade-Chamberlainin e Nabi Keitan, në mënyrë që të bëjë para për ta blerë ish-futbollistin e Barcelonës.

Për Shaqirin flitet qe një kohë se mund të largohet nga “Anfield Road”, por ende nuk është gjendur një klub që bën ofertë të majme për të.

Liverpooli synon t’i nxjerrë 20 deri në 25 milionë euro nga shitja e përfaqësuesit zviceran.

Shaqiri ka përfunduar në bankinë në dy sezonet e fundit tek ekipi i Jurgen Kloppit duke e pasur parasysh konkurrencën e fortë.

Interesim për ish-futbollistin e Baselit, Bayern Munichut, Interit e Stoke Cityt ka shfaqur Galatasaray, por atë e duan edhe në Itali.

Sidoqoftë, 28 vjeçari do të preferonte ta vazhdojë karrierën në futbollin anglez. 

(Kosova Sot Online)