Atletico i kthen përgjigje Man City-t për ofertën 100 milionë euro për Gimenez

  • S.A /
  • 15 September 2020 - 08:53
Atletico i kthen përgjigje Man City-t për ofertën 100 milionë euro për Gimenez

Atletico Madridi nuk dëshiron të bisedojë për shitjen e qendërmbrojtësit Jose Gimenez, përkundër raportimeve se Manchester City i ka ofruar plot 100 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e tij.

Gimenez e ka një klauzolë në marrëveshjen me Atleticon në vlerë 120 milionë euro, e cila ia mundëson të largohet nga klubi i La Ligës nëse ajo paguhet plotësisht nga kushdo qoftë.

Gazeta prestigjioze angleze, The Times, raportoi ditë më parë se Pep Guardiola është shumë i etur ta përforcojë mbrojtjen me qendërmbrojtësin uruguaian.

Sipas gazetës në fjalë, City i ka ofruar 100 milionë euro për të. Por, sipas të përditshmes spanjolle, MARCA, Atletico e ka hedhur poshtë atë ofertë. Gjiganti spanjoll e vlerëson Gimenez pjesë kyçe të planeve të klubit dhe nuk do të pranojë bisedime për shitjen e tij. Atletico ka hedhur poshtë oferta për yjet si Joao Felix, Saul Niguez, Jan Oblak, Alvaro Morata dhe Thomas Partey, të cilët i vlerëson të pashitshëm.

(Kosova Sot Online )