Futbollisti gjerman kërkon falje, tregon arsyet pse u përlesh me tifozët

  • S.A /
  • 15 September 2020 - 10:31
Futbollisti gjerman kërkon falje, tregon arsyet pse u përlesh me tifozët

Mbrojtësi i Hamburgut, Toni Leistner, ka kërkuar falje dhe është zotuar se nuk do ta përsërisë më gabimin e njëjtë, pasi i ishte ngjitur tribunave të stadiumit për t’u ballafaquar fizikisht me tifozët e Dynamo Dresden, pas humbjes së skuadrës së vet 4:1 në rrethin e parë të DFB-Pokal, Kupës së Gjermanisë.

Një video e shpërndarë me të madhe në rrjetet sociale, e shfaq Leistnerin – i cili iu bashkua klubit nga Bundesliga 2 nga QPR-ja muajin e kaluar – duke e shtyrë me të dy duart një tifoz në tribunat e stadiumit Rudolf-Harbig dhe duke argumentuar me të tjerët ulur atypari. Leistner ishte duke dhënë intervistë pas ndeshjes afër tifozëve të Dresden që po brohorisnin njëkohësisht, para se të ngjitej në tribuna për t’u ballafaquar me ta.

Mbrojtësi gjerman kishte luajtur për Dresdenin nga viti 2010 deri më 2014.

Më shumë se 10 mijë tifozë ishin të pranishëm në atë takim, më së shumti në një ndeshje në futbollin gjerman që prej shpërthimit të pandemisë koronavirus në mars.

“Pas ndeshjes në vendlindjen time, unë u abuzova gojarisht nga tribunat. Zakonisht mund ta përballoj këtë. Por këtë herë ishte tej mase dhe shumë e padrejtë, kundër familjes sime, kundër gruas sime dhe kundër vajzës sime”, shkroi Leistner në Instagram.

“Për këtë arsye e humba toruan, për më tepër sepse ishte një ndeshje emocionale për mua. Por pavarësisht, kjo nuk është dashur të ndodhte kurrë. Unë jam baba i cili dëshiron të jetë shembull i mirë për t’u ndjekur. Kërkoj falje në të gjitha mënyrat dhe premtoj se – pavarësisht se sa shumë më fyejnë – kjo nuk do të ndodhë kurrë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )