Interi kërkon që t’i lejohet ta mbushë me tifozë të paktën gjysmën e stadiumit

  • A.P /
  • 20 September 2020 - 14:07
Interi kërkon që t’i lejohet ta mbushë me tifozë të paktën gjysmën e stadiumit

Në Itali u miratua prania deri në 1000 tifozë në shkallët e stadiumeve në ndeshjet e futbollit, por klubet e Serisë A pranojnë se kjo shifër është shumë e ulët dhe nuk mund t’i ndihmojë aspak ekonomikisht.

Ka qenë Administratori i deleguar për anën teknike i Interit ,Giuseppe Marotta, që në një intervistë për mediat italiane ka theksuar se synohet që të lejohen tifozë deri në masën 40% e kapacitetit të stadiumeve, në një kohë sa më të shpejtë.

Ai theksoi se në shkallët e stadiumeve po ndjehet mungesa e mbështetjes së tifozëve, por njëkohësisht edhe arkat e klubeve kanë filluar të ndjejnë mungesën e të ardhurave nga shitja e biletave.

“Vendimi për praninë e 1000 tifozëve në shkallët e stadiumit është një hap i mirë, por shpresojmë të shkojmë shumë përtej kësaj shifre. Do të ishte mirë që brenda pak javësh të kishim deri në 40% të kapacitetit të stadiumit. Mungesën e tifozëve po e ndjejnë shumë futbollistët në fushë, por edhe klubet, pasi shitja e biletave është një zë i rëndësishëm i bilanceve. Ndaj Pisa-s ne futëm në stadium 1000 persona me maska dhe me 4-5 ndenjëse distancë nga njëri-tjetri. Nëse ndjekim të njëjtin standard, në shkallët e ‘San Siro”, mund të futim shumë më tepër”, tha Marotta.

(Kosova Sot Online)