Ministri Zemaj premton lehtësim të masave kundër Covid-19 për sportin

  • G.G /
  • 23 shtator 2020 - 13:02
Ministri Zemaj premton lehtësim të masave kundër Covid-19 për sportin

Ministri i Shëndetësisë Armed Zemaj është zotuar se do t’i lehtësojë masat kundër pandemisë koronavirus në lidhje me disa sporte në vend, pasi të gjitha aktivitetet sportive janë të ndaluara në vend tani për tani me dekret të qeverisë.

Në një vendim të 30 korrikut, Qeveria Hoti i ndaloi me ligj të gjitha aktivitetet sportive deri në një datë të papërcaktuar, si masë parandaluese e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Por pavarësisht masave në fuqi, aktivitetet sportive në vend nuk janë ndalur, me ligën elitare në futboll, Superligë, që e nisi sezonin e ri javën e kaluar dhe deri tani i ka zhvilluar dy xhiro.

Duke folur në një forum me ministren për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi dhe presidentin i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, Zemaj u zotua se do t’i lehtësojë masat, por paralajmëroi se do t’i ndalojë garat nëse ndonjë federatë nuk i respekton masat.

“Do të kemi lehtësim të masave në disa aktivitete sportive, të cilat janë të domosdoshme në numër dhe masë. Ne do të kemi mbikëqyrje të rreptë, bazuar edhe në zotimin që kemi marrë nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat sportive”, tha Zemaj.

“Nuk do të doja që asnjë federatë të mbyllet për shkak të mosrespektimit të masave”, shtoi ministri i Shëndetësisë, në “Forumin e Sportit”, që po organizohet nga KOK-u në bashkëpunim me MKRS.

(Kosova Sot Online)