Drita kërkon të shkruajë më shumë histori kundër Legia Warsaw

  • S.A /
  • 24 September 2020 - 11:14
Drita kërkon të shkruajë më shumë histori kundër Legia Warsaw

Drita do të kërkojë të shkruajë më shumë histori në futbollin kosovar kur ta vizitojë sonte Varshavën për takimin më Legia Warsaw, në përpjekje për t’u bërë klubi i parë kosovar që e arrin play-off’n e një gare evropiane – pengesën e fundit për ta siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.

Kampionia e Kosovës është mysafire e Legias në stadiumin Wojska Polskiego në Varshavë, në një takim të rrethit të tretë kualifikues në Ligën e Evropës.

Pasi u bë klubi i parë që arrin më së largu në kualifikime të një gare evropiane, rundin e tretë të garës dytësore evropiane, Drita ka mundësi që sot të arrijë edhe më larg dhe ta bëjë hapin e parafundit drejt asaj që do të ishte pjesëmarrja historike në Ligën e Evropës.

Asnjë klub kosovar nuk arritur ta sigurojë pjesëmarrjen në fazën grupore të Ligës së Kampionëve apo Ligës së Evropës në katër vjet që prej pranimit të Kosovës në UEFA, por askush nuk ka qenë më afër se klubi nga Gjilani.

“Ne shpejt e harruam përjashtimin nga kualifikimet për në Ligën e Kampionëve. Ne tashmë kemi luajtur një ndeshje me Sileksin, në të cilën u treguam shumë mirë, kështu që përjashtimi nuk pati ndikim negativ tek ne”, tha Nuhiu në konferencën për media të organizuar pas stërvitjeve në Varshavë.

Nuhiu ishte i qartë se skuadra e tij do të luajë pa frikë ndaj Legias.

“Ne jemi të vetëdijshëm se me kë po luajmë, por nuk do të trembemi. Ne do të luajmë ndeshjen tonë dhe do të shohim sa a do të jetë e mjaftueshme”.

Kaltërebardhët i kryen përgatitjet për këtë ndeshje në Durrës të Shqipërisë dhe e ka marrë dritën jeshile për të udhëtuar drejt Polonisë pasi nuk e ka asnjë rast me koronavirus në skuadër.

Kjo është përballja e parë kokë me kokë mes Dritës dhe Legia.

Drita erdhi në kualifikime për Ligën e Evropës, pasi dështoi në kualifikime për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, duke e humbur ndeshjen e rrethit të fundit parakualifikues me rezultat zyrtar 3:0 kundër Linfield, për shkak të numrit të madh të lojtarëve të prekur me koronavirus.

Ai është klubi i vetëm kosovar i mbetur në garë për ta siguruar pjesëmarrjen në një garë evropiane këtë vit, pasi Prishtina dhe Gjilani dështuan në rundet e hershme.

(Kosova Sot Online )