Një rrugë në Kosovë e mban emrin “Novak Djokovic”!

  • E.K /
  • 30 September 2020 - 14:47
Një rrugë në Kosovë e mban emrin “Novak Djokovic”!

Serbët e Kosovës kanë vendosur ta shpërblejnë tenistin e njohur duke ia vendosur një rruge në Kllokot emrin e tij

Novak Djokovic konsiderohet si hero për serbët.

Tenisti serb e ka shfaqur shpesh nacionalizmin përmes deklaratave, duke e konsideruar Kosovën ende si pjesë të Serbisë, ndërsa i ka ndihmuar kohë pas kohe edhe bashkëkombësit e tij që jetojnë në Kosovë.

Për këtë, serbët e Kosovës kanë vendosur ta shpërblejnë atë duke ia vendosur një rruge emrin e tij.

Në fakt, siç njofton portali “kosovo-online.com” në Kllokot një rrugë e mban emrin “Novak Djokovic”.

Me iniciativën e qytetarëve, në mbledhjen e mëparshme të Kuvendit të Komunës së Kllokotit unanimisht u mbështet propozimi qe rruga në fjalë ta mbajë emrin e njërit prej tenistëve më të mirë në botë.

Kryetari i kësaj Komune, Bozidar Dejanovic thotë se tenisti serb e meriton këtë shpërblim.

“Në këtë mënyrë, qytetarët donin ta falënderonin  atë për të gjithë vëmendjen dhe ndihmën që ai e ofron me vetëmohim për serbët e Kosovës”, ka thënë Dejanovic.

Sipas këtij të fundit, ky propozim është mbështetur gjithashtu edhe nga pesë anëtarë të kryesisë së Kuvendit të kombësisë shqiptare.

Djokovic ka folur shpesh për përjetimet e tij gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë e Serbi në vitin 1999.

Thuhet se prindërit e 33 vjeçarit kanë prejardhje nga Kosova, ndërsa babai i tij është nga Sveçani.

Djokovic, i lindur në Beograd, e kishte vizituar qytetin e Mitrovicës në vitin 2008.

(Kosova Sot Online)