Kërkonte nga trajneri garanci për titull, Prishtina s’e nis mirë sezonin e ri

  • G.G /
  • 01 October 2020 - 13:09
Kërkonte nga trajneri garanci për titull, Prishtina s’e nis mirë sezonin e ri

Para se ta niste sezonin e ri, FC Prishtina kërkonte trajner që ia garanton titullin e kampionit, të cilin nuk e ka fituar qe 7-8 vjet. Një kësi garancie nuk ishte në gjendje ta bëj Armend Dallku, të cilin pastaj klubi e shkarkoi, duke e zëvendësuar me Zekrija Ramadanin, të cilit në skuadër i udhëheqësit e klubit i sollën edhe futbollistë shumë të shtrenjtë. Përkundër kësaj, Prishtina ka startuar keq. Prej 9 pikëve sa i kishte në dispozicion nga tri ndeshjet e para të kampionatit, Prishtina i ka humbur 5. Bardhekaltrit e nisën me fitore kundër Drenicës,  pastaj vazhduan me një barazim me Arbërinë dhe së fundmi u mposhtën nga Trepça ’89 në Mitrovicë.  

Duke e ditur se nuk e ka fituar qe shtatë vjet titullin e kampionit të Kosovës, FC Prishtina, e nisi edicionin e ri nën presion të mungesës së këtij suksesi. Bardhekaltrit e filluan edicionin e ri me ambicie të mëdha, për ta dominuar kampionatin nga fillimi e deri në fund, për t’u stolisur me titullin e kampionit.

Madje, ata kishin shkuar aq larg me mendje sa që kërkonin trajner që ua garanton titullin e kampionit.

Një gjë të tillë nuk ua kishte garantuar Armend Dallku, me të cilin Prishtina gjatë edicionit të kaluar pati rezultate të mira, duke e fituar Kupën e Kosovës dhe duke u kualifikuar në kompetecionin e Ligës së Evropës.

Krejt në fund të kampionatit kryeqytetasit u eliminuan nga gara e titullit të kampionit. Por, klubi i konsideronte Dallkun dhe futbollistët e tij “kampion moralë”, duke i gozhduar kështu gjyqtarë, klube tjera dhe Federatën, për eliminim të qëllimshëm të Prishtinës nga gara e titullit – njësoj siç ankohej viteve të kaluara. Por, krejt këto pretendime të veta klubi i zbehu në momentin që e largoi “kampionin moral” të tij, Armend Dallkun.

Derisa Dallku nuk ia kishte garantuar titullin e kampionit, klubi e kishte shkarkuar atë, për ta emëruar Zekrija Ramadanin kryetrajner të ri. Kjo politikë e klubit më të madh në vend çuditi fort, ndërsa analistët pyesnin nëse Ramadani ia ka garantuar Prishtinës atë që Dallku nuk ia kishte garantuar – titullin e kampionit?!

Kjo nuk ishte çudia e vetme e Prishtinës para fillimit të edicionit të ri. E çuditshme ishte edhe puna e transferimeve, pasi futbollistë tepër të rëndësishëm, si Armend Thaçi, Visar Bekaj, Ahmed Januzi, Meriton Korenica, Diar Miftaraj, etj, u larguan nga klubi, i cili në anën tjetër kërkonte garanci për titull.

Këto largime Prishtina u përpoq t’i mbulojë me disa prurje tjera duke angazhuar edhe futbollistë të shtrenjtë nga ish yllin e Skënderbeut Sabien Lilaj, pastaj ish lojtarin e njohur të Tiranës, Gentian Muça, Gledi Micaj nga Shkëndija dhe disa ardhje të reja nga Kroacia, si: Ivan Jelic, Lumbard Dellova, Nikson Mema. Po ashtu, prishtinasit i rikthyen disa ish futbollistë të njohur të tyre, si Behar Maliqin, Besnik Krasniqin, Mërgim Pevqelin, etj.

Dhe, tani kur kampionati ka nisur, rezultatet fillestare nuk përputhen me ambiciet. Ato nuk japin shenja garancie në luftën për titull. Në tri ndeshjet e para të kampionatit Prishtina i kishte nëntë pikë në dispozicion. Por, vetëm katër i ka fituar dhe pesë tjera i ka humbur. Bardhekaltrit fituan në xhiron e parë kundër Drenicës, 3:0. Por, pastaj regjistroi rezultate zhgënjyese. Fillimisht barazoi 1:1 me ekipin e posa i inkuadruar në Superligë, Arbërinë. Dhe, së fundmi, të mërkurën u mposht 1:0 nga Trepça ’89 në Mitrovicë.  

“Patjetër që jemi të dëshpëruar me këtë rezultat. Përgjegjësinë maksimale e kam unë si trajner për këtë humbje. Pjesën e parë krijuam raste, nuk shënuam dhe në fund e ndëshkuam vetën nga një gabim. Sidoqoftë atë gabim bëri ai futbollist që unë e inkuadrova në lojë dhe për atë unë e mbaj përgjegjësinë. Sidoqoftë, kjo humbje normal që pak na lëndon, mirëpo duhet të kthehemi më të fortë”, tha dej pas humbjes nga 89-shi, trajneri Ramadani.

Gjithsesi, ky është veç një fillim negativ, por fakti që kampionati është i gjatë, i jep shpresë Prishtinës që të mos dështojë për të tetin vit me radhë. 

(Kosova Sot Online)