“Mbase ai është më i mençur se unë” – Guardiola s’gjen përgjigje për pyetjen e Bielsas

  • A.P /
  • 04 October 2020 - 09:49
“Mbase ai është më i mençur se unë” – Guardiola s’gjen përgjigje për pyetjen e Bielsas

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka zbuluar se kishte pasur vështirësi të mëdha t’i përgjigjej një pyetjeje që ia kishte bërë trajneri i Leeds United, Marcelo Bielsa, pas barazimit 1:1 në Premierligë të shtunën.

Pavarësisht golit të hershëm të Raheem Sterling, skuadra e Guardiolës nuk qe në gjendje ta fitojë ndeshjen, pasi Rodrigo e barazoi rezultatin në pjesën e dytë për Leeds.

City humbi shumë mundësi përpara dhe nga 23 goditje drejt portës së Leeds, vetëm dy prej tyre ishin brenda kornizës së portës.

Për më tepër, Leeds e dominoi skuadrën e Guardiolës në mbizotërimin e topit, duke treguar se është skuadër e denjë për të garuar kundër ekipeve të mëdha të Premierligës.

Guardiola dhe Bielsa u përqafuan pas përfundimit të ndeshjes dhe ky i fundit e kishte pyetur homologun e vet se çfarë mendonte për ndeshjen.

Por trajneri i City nuk kishte qenë në gjendje ta formonte një mendim të shpejtë.

“Ai më pyeti ‘Çfarë mendoni për ndeshjen?’ ndërsa unë i thashë ‘Pas një sezoni nuk isha në gjendje ta analizoja ndeshjen!’” tha Guardiola për Sky Sports.

“Mbase ai është më i mençur se unë. Mua më duhet kohë për të menduar sesi shkoi ndeshja, por i thashë se mendoja se ishte një ndeshje e mirë dhe se rezultati ishte i drejtë në fund”, shtoi Pep. 

(Kosova Sot Online)