Lovren i godet tifozët e palumtur të Liverpoolit: Shkoni dhe përkraheni një klub tjetër

  • S.A /
  • 05 October 2020 - 10:22
Lovren i godet tifozët e palumtur të Liverpoolit: Shkoni dhe përkraheni një klub tjetër

Ish-qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Dejan Lovren, i ka kritikuar ashpër tifozët e Liverpoolit për reagimin e tyre të keq në rrjetet sociale pas humbjes së të kuqve 7:2 kundër Aston Villës në Premierligë të dielën.

Pasi pranoi gol pas vetëm katër minutave lojë, skuadra e Jurgen Kloppit i pagoi rëndë gabimet dhe pakujdesinë në mbrojtje, duke i pranuar plot shtatë gola në një ndeshje garuese për herë të parë që prej vitit 1963. Të kuqve u munguan dy lojtarë kyçë, Sadio Mane për shkak se është prekur nga Covide-19 dhe Alisson Becker, i cili është i lënduar.

Disa tifozë të Liverpoolit e shënjuan zëvendësuesin e Alissonit, Adrian, për humbjen e rëndë, por Lovren, i cili shpesh ka qenë në qendër të kritikave nga përkrahësit e Liverpoolit, i kundërshtoi ata.

“Kurrë mos e fajësoni një apo dy lojtarë për një humbje”, shkroi Lovren në Twitter pas ndeshjes.

“Në fushë janë 11 lojtarë që punojnë si ekip, nganjëherë ka ditë të mira dhe ditë të këqija, nesër është ditë e re.

Duke iu përgjigjur disa përdoruesve në Twitter, Lovren shtoi: “Ju nuk e kuptoni futbollin profesionist. Shkoni dhe luani FIFA dhe gjykoni pastaj. Atëherë shkoni dhe përkraheni një ekip tjetër”.

(Kosova Sot Online )