Edhe pse ka mungesa, Challandes thotë se sistemin e lojës s’do ta ndryshojë kundër Maqedonisë Veriore

  • S.A /
  • 05 October 2020 - 12:41
Edhe pse ka mungesa, Challandes thotë se sistemin e lojës s’do ta ndryshojë kundër Maqedonisë Veriore

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, e pranon se Maqedonia e Veriut ka skuadër të mirë, por këmbëngul se, me gjithë mungesat e mëdha me të cilat përballet, ai nuk do të ta ndryshojë sistemin e lojës së vet në përballjen e së enjten në Shkup.

Kosova e viziton Shkupin të enjten për përballjen mbase më të rëndësishme në histori të saj me shtetin fqinj– gjysmëfinalen e play-off të Ligës së Kombeve – për pjesëmarrje në Euro 2020, që mbahet vitin e ardhshëm.

Maqedonia vjen në formë më të mirë se kombëtarja dardane në këtë takim, pasi i ka fituar tri nga gjashtë takimet e fundit, krahasuar me Kosovën që e ka vetëm një fitore, përfshirë katër humbje dhe një barazim në gjashtë takimet e fundit.

 

Kjo do të jetë përballja e parë kokë me kokë mes Kosovës dhe Maqedonisë dhe fituesi i këtij dueli luan me fituesin e duelit Gjeorgji – Bjellorusi për një vend kë Euro 2020 vitin e ardhshëm.

“Maqedonia e Veriut ka një ekip të mirë, ja kam shikuar ndeshjes. Ka bërë lojë të mirë me Armeninë, e sidomos me Gjeorgjinë. Lojtarët e tyre luajnë në Europa League. Pra bëhet fjalë për një ekip shumë të mirë. Por, besoj se edhe ne kemi ekip të mirë”, tha Challandes.

“Nëse ndalemi dhe flasim për lojën e tyre, duke qeshur mund të themi se Maqedonia e bën lojën e njëjtë me Kosovën kur luan mirë. Ka futbollistë kualitativë, kërkojnë ta kenë posedimin e topit, duan të luajnë në krahë. Pa fije dyshimi mund të them se është ekip mjaft i mirë”, shtoi ai.

Megjithëse përballet me mungesa të theksuara, si Milot Rashica e Vedat Muriqi në sulm, Hekuran Kryeziu e Besar Halimi në mesfushë, Challandes këmbëngul se nuk do ta ndryshojë sistemin e lojës.

“Filozofinë e lojës nuk do ta ndërrojmë edhe nëse nuk luan Vedat Muriqi. Nuk e kemi as Rashicën”, tha Challandes.

“Kemi alternativa për t’i zëvendësuar mungesat, edhe pse jo shumë. Por, në sulm nuk kemi alternative të duhur të Vedatit. Unë nuk dua të ankohem për mungesat. Nuk kemi nevojë për polemika. Duhet t’i nxisim lojtarët. Një kualifikim i mundshëm është i rëndësishëm për krejt popullin e Kosovës”, shtoi ai.

“Detyrë e imja është të jap energji të jashtëzakonshme për këtë lojë të çmendur”

(Kosova Sot Online )