Portali britanik e parashikon rezultatin e ndeshjes Maqedoni e Veriut – Kosovë

  • G.G /
  • 07 October 2020 - 13:18
Portali britanik e parashikon rezultatin e ndeshjes Maqedoni e Veriut – Kosovë

Portali britanik “sportsmole.co.uk” e ka favorizuar ekipin e Maqedonisë së Veriut për takimin e nesërm, duke parashikuar se do të fitojë me rezultat 2:1 ndaj Kosovës

Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të përballen nesër mbrëma në stadiumin “Tose Proeski Arena” në Shkup, në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalen e “play-offit” të Ligës së Kombeve.

Kjo ndeshje do të jetë historike për të dyja ekipet kombëtare pasi fitorja eventuale e dërgon njërën skuadër në finale dhe vetëm 90 minuta larg Evropianit 2020.

Maqedonasit e kanë vetëm një mungesë për këtë ndeshje (Elif Elmas), ndërkohë që trajneri Igor Angelovski do t’i ketë në dispozicion gjashtë futbollistë shqiptarë.

Nga ana tjetër, “Dardanët” do t’i kenë shtatë mungesa, Milot Rashica, Idriz Voca, Hekuran Kryeziu, Vedat Muriqi, Besar Halimi, Samir Ujkani dhe me gjasë edhe Amir Rrahmani).

Për këtë, portali britanik “sportsmole.co.uk” e ka favorizuar ekipin maqedonas për këtë takim.

Sipas këtij portali, kjo ndeshje do të përfundojë me rezultat 2:1 për Maqedoninë e Veriut.

“Dy ekipet kishin fillim të ndryshëm të kampanjës në Ligën e Kombeve, por këto rezultate bëhen të parëndësishme kur bëhet fjalë për një ndeshje gjysmëfinale të play-offit, e vlefshme për kualifikim në Euro 2020. Kosova do të luajë pa disa lojtarë të rëndësishëm dhe të njohur. Prandaj, ne parashohim që Maqedonia e Veriut të fitojë dhe të avancojë në finalen e nëntorit në Ligën D. Ne themi: Maqedonia e Veriut – Kosova 2:1”, ka shkruar portali “sportsmole.co.uk”.

Dueli në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:45. 

(Kosova Sot Online)