Pandev: Ta lëmë zemrën në fushë, shkojmë për fitore ndaj Kosovës

  • G.G /
  • 07 October 2020 - 15:35
Pandev: Ta lëmë zemrën në fushë, shkojmë për fitore ndaj Kosovës

Kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev shprehet entuziast para njërës prej ndeshjeve më të rëndësishme të karrierës së tij.

Futbollisti i Genoas i ka falënderuar të gjithë që e ndihmuan që të kthehej në Maqedoni, në mënyrë që të jetë i gatshëm për ta ndihmuar skuadrën e tij.

Ai shpreson në fitore ndaj Kosovës, për t’i bërë krenarë njerëzit e tij në Maqedoninë e Veriut.

“I falënderoj të gjithë që kanë kontribuar që unë të vij për të luajtur në këtë ndeshje. E falënderoj Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe Ambasadën Maqedonase në Itali, një falënderim i madh për të gjithë. Ne e dimë se çka na sjell kjo ndeshje. Kemi shumë eksperiencë, është fatkeqësi që nuk do të ketë shikues”, deklaroi fillimisht veterani i futbollit maqedonas.

“Dëshirë e imja do të ishte që kjo ndeshje të zhvillohej me praninë e shikuesve, po tash është kjo situatë dhe nuk mund ta ndryshojmë. Ne do të shkojmë për fitore. Natyrisht, jam mjaft i emocionuar për këtë moment, për këtë ndeshje. Njerëzit këtu kanë nevojë për momente si ky dhe një gjë që mund ta premtoj është se do ta lëmë zemrën në fushë për t’i bërë njerëzit maqedonas të lumtur. Nuancat do ta vendosin ndeshjen, por ne jemi të përgatitur si për të gjitha takimet”, përfundoi ish-futbollisti i Lazios, Interit dhe Napolit. 

(Kosova Sot Online)