Benzema është 10 ndeshje larg ta shkruajë historinë me Realin

  • G.G /
  • 08 October 2020 - 16:52
Benzema është 10 ndeshje larg ta shkruajë historinë me Realin

Karim Benzema ka luajtur deri tash në 517 ndeshje për skuadrën e Real Madridit dhe atij i nevojiten vetëm edhe 10 ndeshje që ta tejkalojë rekordin e Roberto Carlosit për më së shumti ndeshje të luajtura në histori të klubit.

Sulmuesi francez e ka filluar sezonin e tij të 12-të me “Los Blancos” që nga debutimi i tij në vitin 2009, pasi erdhi nga skuadra franceze Lyon.

32-vjeçari e ka shënuar golin e 250-të personal si lojtar i Real Madridit në ndeshjen kundër Levantes.

Ai ndër të tjera është duke kaluar nëpër një formë fantastike me madrilenët.

Në sezonin 2018/19 ai i ka shënuar 30 gola, sezoni i tij i dytë më i mirë gjatë karrierës së tij, pasi në sezonin 2011/12 i kishte shënuar plot 32 gola.

Ndërsa, vitin e kaluar ai i shënoi 27 gola në 48 ndeshje, ku së bashku me Madridin e fituan titullin e La Ligas.

Gjatë dy sezoneve ai ka munguar vetëm në pesë ndeshje për shkak të lëndimit dhe rotacioneve në ekip.

Pas largimit të Cristiano Ronaldos, ai është rikthyer në lojtar kyç në skuadrën spanjolle.

Në rast se nuk do të lëndohet eventualisht, francezi do ta thyejë rekordin në ndeshjen kundër Alavesit në javën e fundit të nëntorit.

Marcelo e ka pasur avantazhin që ta thyejë rekordin e Carlosit, por braziliani nuk ka treguar paraqitje të mirë gjatë kësaj kohe dhe e ka humbur vendin e titullarit në ekip.

Mbrojtësi i krahut të majtë i ka regjistruar 510 ndeshje si lojtar i Realit.

Ai ka luajtur tri sezone më shumë se Benzema në La Liga.

Listës me më së shumti paraqitje me fanellën e klubit i prin Raul Gonzalez, i cili i ka 741 ndeshje.

Pas tij gjendet kapiteni aktual, Sergio Ramos me 654 ndeshje. 

(Kosova Sot Online)