Slloveni Vuckic: Kosova ekip i ri, por me kualitet të lartë

  • S.A /
  • 09 October 2020 - 16:57
Slloveni Vuckic: Kosova ekip i ri, por me kualitet të lartë

Futbollisti slloven, Haris Vuckic e ka komentuar ndeshjen e së dielës ndaj Kosovës, e vlefshme për Ligën e Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e ardhshme të dielën.

“Dardanët” do të luajnë me Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kombeve.

Sllovenët thonë se nuk e njohin shumë mirë ekipin Verdhekaltër, por që kanë respekt maksimal për të.

Ata synojnë të nxjerrin rezultat pozitiv në kryeqytetin kosovar të dielën mbrëma.

“Ne nuk dimë shumë për kundërshtarin e ardhshëm (Kosovën), është një ekip i ri kombëtar. Unë e njoh vetëm portierin e tyre nga ndeshja miqësore me Gironan. Por, e di se Kosova ka lojtarë kualitativë sepse ata luajnë në klube të mira. Prandaj, presim t’i shohim”, deklaroi Haris Vuckic, i cili luan në Spanjë me ekipin Real Zaragoza.

“Ata (Kosova” janë të dëshpëruar dhe motivi i tyre mund të bie. Kjo mund të jetë pozitive për ne. Ata do të jenë të gatshëm për ne. Gjëja më e rëndësishme është se si do të vendosemi ne në fushë. Ne do të shkojmë atje me ndjenja pozitive dhe ta marrim një rezultat të mirë”, vazhdoi Vuckic, i cili mund të ketë mundësi të luajë si rezultat i lëndimit të Andraz Sporar.

Kosova i zhvilloi dy ndeshje të Ligës së Kombeve në muajin shtator duke barazuar 1:1 me Moldavinë dhe më pas humbi 1:2 nga Greqia.

(Kosova Sot Online )