Krasniqi lutet të mos e ketë lënduar rëndë Boeselin

  • E.K /
  • 11 October 2020 - 13:08
Krasniqi lutet të mos e ketë lënduar rëndë Boeselin

Robin Krasniqi shpreson se Domonic Boesel nuk e ka pësuar ndonjë dëmtim të rëndë pas meçit të mbrëmshëm për titullin e botës në kategorinë gjysmë të rëndë, duke i uruar atij rikthim të fuqishëm në ring pasi e nokautoi brutalisht.

Boksieri nga Kosova, Krasniqi ia rrëmbeu titullin e kampionit të botës Boeselit në kategorinë gjysmë të rëndë në IBO, duke e rrahur me nokaut në rundin e tretë të shtunën në  Magdeburg.

Krasniqi ishte i papërmbajtshëm dhe e hodhi dhunshëm në dysheme kundërshtarin gjerman pak brenda rundit të tretë.

Boesel po e mbronte titullin në IBO për herë të parë, pasi e kishte fituar në nëntor të vitit të kaluar.

Krasniqi, ndërkohë, ishte i etur për titullin e botës dhe kjo ishte përpjekja e tij e tretë në karrierë për ta fituar.

Një e djathtë dërrmuese e tij ishte aq e shpejtë dhe e papritur, saqë boksieri gjerman u rrëzua si një lis i madh dhe koka iu përplas për dyshemeje.

Boesel, edhe pse e mori veten, u dërgua në spital pas meçit si shenjë parandaluese e ndonjë lëndimi të mundshëm.

Krasniqi shpreson se ai nuk është dëmtuar nga dora e tij.

“Uroj që Domonic të rikthehet i fortë. Ne jemi një familje e madhe, fitojmë së basku, humbim së bashku”, tha kosovari pas meçit.

“Shpresoj se nuk është lënduar rëndë. Ai është luftëtar i madh”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)