Lukaku: Prindërit e mi s’hanin darkë, në mënyrë që unë dhe vëllai im të kishin çka të hanim

  • S.A /
  • 12 October 2020 - 09:46
Lukaku: Prindërit e mi s’hanin darkë, në mënyrë që unë dhe vëllai im të kishin çka të hanim

Sulmuesi i Interit dhe Belgjikës, Romelu Lukaku, ka zbuluar sesi familja e tij ishte përballur me vështirësi të mëdha gjatë fëmijërisë së tij dhe ka treguar se prindërit e vet kishin flijuar shumë për të dhe vëllain e tij.

Lukaku është duke shkëlqyer në fanellën e Interit në Serie A, pasi i ka shënuar tri gola në tri ndeshje deri tani këtë sezon, pasi i shënoi plot 34 gola në të gjitha garat për zikaltrit sezonin e kaluar.

“Çdo ditë, ai (babai) më mësonte disiplinë dhe si ta kem mendësinë e duhur në stërvitje dhe në jetë. Ai më mësoi se duhet t’i respektoj të gjithë që i takoj, t’i përshëndes të gjithë dhe t’i shikoj njerëzit në sy. Këto janë gjëra të thjeshta por më ndihmojnë çdo ditë”, tha Lukaku për La Gazzetta dello Sport.

Lukaku e nisi karrierën profesionale në Anderlecht në vitin 2009, kur ishte 16 vjeç.

Ai foli edhe për nënën e vet dhe sesi ajo kishte luftuar për familjen në çastet më të vështira.

“Kur babai im nuk luante më si profesionist, unë isha 6 vjeç dhe nëna ime vuante nga diabeti. Kaluan nëpër disa vite shumë të vështira”, tregoi ai.

“Nëna ime nuk kishte para, prandaj punonte në restorante dhe ne i bashkoheshim asaj pas ndeshjeve. Prindërit e mi nuk hanin darkë, në mënyrë që unë dhe vëllai im të kishin çfarë të hanim”, zbuloi ai.

(Kosova Sot Online )