Të mërkurën vendoset për ndeshjen Juventus –Napoli

  • S.A /
  • 12 October 2020 - 14:27
Të mërkurën vendoset për ndeshjen Juventus –Napoli

Juventus -Napoli duhej të ishte supersfida e javës së 3-të në Serinë A, por ajo që u përjetua ishte një situatë kaotike, me napolitanët që nuk udhëtuan për në Torino, sepse Agjencia Rajonale e Shëndetësisë nuk e lejoi për shkak se Elmas e Zielinski rezultuan pozitivë ndaj Koronavirusit.

Liga e Serisë A nuk pranoi shtyrjen e ndeshjes dhe Juventusi, duke zbatuar rregullat, ishte në “Allianz Stadium” gati për të zbritur në fushë. Nga mbrëmja e 4 tetorit e gjithë vëmendja është te gjykatësi sportiv, Gerardo Mastrandrea, që tashmë qëndron mes dy zjarreve.

Në njëri krah është rregullorja e përcaktuar dhe duke qenë që Liga e Serisë A urdhëroi që ndeshja të luhej dhe Napoli nuk i zbatoi urdhrat, atëherë, sipas rregullores, fitorja i shkon automatikisht Juventusit në tavolinë 3-0 dhe Napoli i ulet një pikë.

Në anën tjetër është ligji. Që në çastin e përhapjes së pandemisë, Italia, që ka qenë një nga vendet më të prekura, vendosi disa rregulla strikte.

Nuk e ka vendosur klubi napolitan, por Agjencia Rajonale e Shëndetësisë, duke e detyruar skuadrën dhe stafin të karantinohen për dy javë në zbatim të ligjit.

Të mërkurën, gjykatësi sportiv do të vendosë se cili do të jetë fati i përballjes që nuk u luajt, Juventus-Napoli.

(Kosova Sot Online )