Greqia në formë të lartë e pret në Athinë një Kosovë të thelluar në krizë

  • G.G /
  • 13 October 2020 - 11:19
Greqia në formë të lartë e pret në Athinë një Kosovë të thelluar në krizë

Ekipi kombëtar i Kosovës, i thelluar në krizë rezultatesh, do të udhëtojë sot drejt Athinës për t’u përballur të mërkurën me Greqinë në Ligën e Kombeve, kombëtaren helene që ka treguar formë të lartë kohët e fundit dhe duket të jetë favorite për ta fituar grupin.

Ndeshja e xhiros së katërt mes Greqisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Stadiumin Olimpik të Athinës, pa praninë e shikuesve, duke filluar në orën 20:45.

Greqia e fitoi 2:1 ndeshjen e parë kundër Kosovës muajin e kaluar në Prishtinë.

Kosova i ka humbur të gjitha mundësitë për ta fituar Grupin 3 në Ligën C, pasi e nisi fushatën e re me një barazim dhe dy humbje radhazi dhe është ende në kërkim të fitores së parë.

Kur jemi në gjysmë të rrugës në fazën grupore, Kosova është e parafundit në grupin e vet me vetëm një pikë të mbledhur, njëlloj si Moldavia që renditet e fundit.

Grupit i prijnë Greqia dhe Sllovenia me nga shtatë pikë, në një garë kokë me kokë për ta fituar atë.

Derisa Kosova po e përjeton një krizë të madhe rezultatesh këtë vit, edhe pse e pati një edicion mahnitës 2019/20 në garën e UEFA-s, Greqia është në formë shumë të mirë dhe nuk e ka humbur një ndeshje garuese që një vit.

E Kosovës iu bën një vit që nuk ka shijuar fitore në një ndeshje garuese, kur e mundi 2:0 Malin e Zi në tetor të 2019-s në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Verdhekaltrit e humbën mundësinë e dytë për t’u kualifikuar në Euro 2020 javën e kaluar, kur u mundën nga fqinjët e Maqedonisë Veriore në gjysmëfinale të play-offit.

Edhe në takimin e së mërkurës mbrëma kundër grekëve, trajneri Bernard Challandes, i cili është nën presion të lartë dhe i bombarduar me kritika, do të përballet me mungesat e njëjta të mëdha.

Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Idriz Voca do të mungojnë sërish.

Ndërkohë, Greqia nuk përballet me ndonjë telashe apo mungesë kundër dardanëve, dhe mbi të gjitha vijnë në formë të mirë në këtë takim.

Humbja kundër Italisë në tetor 2019 në një ndeshje kualifikuese për Euro 2020 ishte e fundit e Greqisë në një ndeshje garuese.

Por, helenët u mundën nga Austria në një ndeshje miqësore muajin e kaluar.

Në gjashtë ndeshjet e fundit garuese, Greqia i ka shënuar pesë fitore dhe ka barazuar një herë tjetër. 

(Kosova Sot Online)