Ronaldo me mesazh të ngrohtë për Neymarin

  • S.A /
  • 15 October 2020 - 09:48
Ronaldo me mesazh të ngrohtë për Neymarin

Ronaldo e ka lartësuar Neymarin, një ditë pasi u kalua nga bashkatdhetari i vet në listën e golashënuesve më të mirë në histori të Kombëtares së Brazilit, duke i bërë thirrje ta shfrytëzojë talentin për arritje edhe më të mëdha.

Neymari e kaloi Ronaldon në listën e golashënuesve më të mirë në ekipin kombëtar pas tri golave që i shënoi në fitoren e Brazilit 4:2 kundër Perusë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022 të martën.

Sulmuesi i Paris Saint-Germain Neymari tani i ka 64 gola për Brazilin, dy më shumë se Ronaldo (62) dhe vetëm tri më pak se lideri, Pele (67).

Neymari është vetëm 28 vjeç do të ketë mundësi ta thyejë rekordin e Peles për t’u bërë golashënuesi më i mirë i Brazilit.

Ronaldo, i cili e fitoi dy herë Kupën e Botës me Brazilin, e lartësoi Neymarin në një shkrim në rrjetet sociale.

“Kam shumë respekt për ty Neymar. Ti luan shumë, jep shumë asiste, driblon dhe shënon. Qielli është limiti. Fluturo, djalosh!” shkroi Ronaldo.

“Çfarë tregimi të bukur je duke e shkruar. Je lojtar plotësisht i pjekur. Ta menaxhosh presionin jashtë fushës është sfidë më e madhe sesa vetë topi i futbollit”, shtoi ai.

“Ti ke shumë rekorde për t’i thyer dhe shumë gjurmë për të lënë. Jam krenar që e shoh një brazilian në maje të futbollit”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online )