Si e bindi Mourinho Messin t’i bashkohet Chelseat nga Barcelona më 2014: Rrëfimi i pa treguar

  • E.K /
  • 15 October 2020 - 15:36
Si e bindi Mourinho Messin t’i bashkohet Chelseat nga Barcelona më 2014: Rrëfimi i pa treguar

Lionel Messi në Stamford Bridge në fanellë të kaltër? Chelsea ishte buzë blerjes më të madhe në tregun e transferimit të lojtarëve në histori në vitin 2014, kur Jose Mourinho e kishte bindur superyllin e Barcelonës t’i bashkohej klubit nga Premierliga, zbulon eksperti i transferimit të lojtarëve, Gianluca Di Marzio.

Argjentinasi 33-vjeçar është tunduar për t’u larguar nga La Liga më shumë se një herë, më së fundmi në gusht, por klauzola e lirimit të tij në vlerë tejet të lartë prej 700 milionë eurosh ia pamundësoi largimin, pavarësisht kërkesës së tij zyrtare për t’u larguar.

Por në vitin 2014, Chelsea ishte i gatshëm ta aktivizonte klauzolën e lirimit të tij në vlerë prej 250 milionë eurosh në atë kohë, dhe i ofroi argjentinasit pagë vjetore prej 55 milionë eurosh neto – diçka që nga Di Marzio vlerësohet si rrëfimi më i madh i pa treguar në tregun e transferimeve.

Bisedimet mes Messit dhe Mourinhos nisën menjëherë pasi qeveria spanjolle e hapi një hetim kundër familjes së Messit për mashtrim tatimor në vitin 2013. Në atë botë Messi e kishte pranuar se po e mendonte largimin nga Spanja.

Në librin e tij të fundit “Grand Hotel Calciomercato”, një ditar i rrëfimeve të pa treguara për tregun e transferimeve të futbollistëve, Di Marzio zbulon sesi Mourinho e kishte bindur Messin t’i bashkohej Chelseat pas një bisedime ballë për ballë në FaceTime.

Megjithatë, përfshirja e babait dhe menaxherit të Messit, Jorge, dhe ish-bashkëlojtarit të tij, Deco, kishte ndikuar që marrëveshja të dështonte sikur një flluskë e sapunit që shpërthen dhe zhduket në ajër, megjithëse palët kishin rënë në ujdi për kushtet personale.

Edhe presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ishte përpjekur ta merrte Messin njëlloj si Chelsea një vit më herët, por argjentinasi e kishte hedhur poshtë ofertën për shkak të lidhjeve emocionale me Barcelonën.

(Kosova Sot Online)