Derbi i Madonninas, Milani synon t’i japë fund ecurisë negative kundër Interit

  • S.A /
  • 17 tetor 2020 - 09:22
Derbi i Madonninas, Milani synon t’i japë fund ecurisë negative kundër Interit

Derbi numër 226 i “Madoninas” mes Interit dhe Milanit ka marrë që tani përmasat e një sfide vendimtare.

Sigurisht nuk do të përcaktojë se kush do të shpallet kampion dhe as nuk është ndeshja e fundit e sezonit, por do të japë një ide të qartë nëse zikaltrit janë vërtetë më të fortë se sezonin e shkuar dhe, rrjedhimisht, më pranë titullit, apo nëse kuqezinjtë janë rikthyer skuadra e dikurshme, e aftë për të gjunjëzuar edhe kundërshtarë të vështirë me prestigjin e një ekipi që vetëbesimin e ka patur armën më të fortë.

Interi vjen nga 2 fitore dhe një barazim në 3 ndeshjet e para, ka shënuar 10 gola, por ka pësuar 6. Ecuria ka qenë pozitive, megjithatë me gjithë respektin për Lazion, kjo është prova e vërtetë.

Zikaltrit kanë triumfuar në 4 derbit e fundit, madje nuk dalin më trishtim nga “San Siro” në një duel kundër Milanit në kampionat që nga 31 Janari i 2016-ës.

Nuk ka qenë një periudhë e qetë për Antonio Conten, kjo për shkak se pandemia ka bllokuar emra të tillë si Bastoni, Skriniar, Naingolan, Gagliardini, Ashley Young dhe portierin Radu, për këtë arsye tekniku puljez do të rreshtojë në mesfushë Perisicin dhe Brozovicin, të cilët do t’i bashkohen Barellas, Vidalit e Hakimit në këtë repart, me dy “bomberat” përpara, Martinez e Lukaku.

Ka një shqetësim në lidhje me gjendjen e Sanchezit që ka pësuar një dëmtim muskulor me përfaqësuesen e Kilit.

Diçka më mirë situata e Koronavirusit te Milani: Ibrahimovic u shërua, ndërsa ende në izolim janë Duarte e Gabbia, megjithatë lajmi më i mirë është rikthimi i Romagnolit. Kapiteni pritet ta nisë titullar përkrah Kjaer, ndërsa Castillejo, që është në balotazh me Diaz, mund të jetë përkrah Calhanoglu e Saelemaekers pas krahëve të Ibras.

Periudha që po kalojnë 7 herë kampionët e Europës është më e mira e viteve të fundit kjo edhe për meritë të Stefano Piolit. Kuqezinjtë kanë fituar 3 sfidat e para në Serinë A dhe ndodhen në krye, janë kualifikuar në grupet e Europa League-s, teksa nuk dorëzohen që nga 8 marsi ndaj Genoas, përpara se të ndërpritej kampionati, nga ai çast 23 ndeshje pa u gjunjëzuar, ndër të cilat 19 kanë qenë fitore dhe 4 barazime.

Tashmë ka ardhur çasti për të kryer hapin e madh, nëse Milani fiton derbin pas më tepër se 4 vitesh, atëherë mund të ushqejë edhe ambiciet për trofeun më të rëndësishëm.

Image

(Kosova Sot Online )