Merret vendimi për Jordan Pickford, pas ndërhyrjes horror ndaj Van Dijk

  • E.K /
  • 19 October 2020 - 15:55
Merret vendimi për Jordan Pickford, pas ndërhyrjes horror ndaj Van Dijk

Jordan Pickford nuk do të përballet me ndëshkim nga Federata e Futbollit e Anglisë (FA), për ndërhyrjen brutale ndaj Virgil van Dijk në derbin e Merseyside të shtunën.

Portieri anglez i Evertonit u hodh me të dy këmbët mbi këmbën e majtë të mbrojtësit të Liverpoolit, duke mos arritur as ta prekë topin, në derbin që u mbyll baras 2:2 në Premierligë.

Ky incident u rishikua në VAR dhe gjyqtarët vendosën të mos i japin penallti Liverpoolit, pasi Van Dijk ishte në pozitë jashtë loje. VAR-i vendosi po ashtu që ndërhyrja e Pickfordit nuk ishte e vlefshme për karton të kuq.

FA-ja i merr parasysh ndëshkimet retrospektive vetëm për incidentet që nuk shihen nga zyrtarët e ndeshjes në fushë apo në dhomat e VAR-it.

Si pasojë e asaj ndërhyrjeje brutale, Van Dijk do të operohet në gju sepse i ka dëmtuar ligamentet e gjurit.

Mbrojtësi holandez rrezikon ta humbë sezonin, edhe pse nuk dihet saktë se sa kohë do t’i duhet për t’u riaftësuar nga ky lëndim. 

(Kosova Sot Online)