Besa e trondit Llapin me barazim në çastet e fundit, Arbëria e mund Drenicën

  • G.G /
  • 20 October 2020 - 16:18
Besa e trondit Llapin me barazim në çastet e fundit, Arbëria e mund Drenicën

Besa e ka siguruar një barazim tronditës 2:2 kundër Llapit me një gol në çastet e fundit të kohës shtesë, ndërkohë që Arbëria e rigjeti rrugën e fitores duke e mundur 1:0 Drenicën, në dy takimet e para të javës së shtatë të zhvilluara sot.

Pas pesë humbjeve dhe një barazimi, u duk sikur Llapi më në fund do ta shijonte fitoren e parë në sezonin e ri në Superligë, por nuk e kishte të shkruar.

Megjithëse kishte një epërsi prej dy golave falë Arbnor Ramadanit dhe Engjëll Hoti, Llapi u trondit nga Besa, e cila e barazoi rezultatin në minutën e 97-të të ndeshjes të mërkurën në Pejë.

Haxhijaj e kishte kthyer në lojë Besën një çerek lojë para fundit, para se pejanët ta barazonin rezultatin në 2:2 në minutën e shtatë të kohës shtesë.

Për Besën, e cila u rikthye në Superligë këtë vit, ky ishte barazimi i parë në shtatë ndeshje.

Skuadra e Tahir Batatinës ngel pa fitore këtë sezon edhe pas javës së shtatë.

Ndërkohë, Arbëria – po ashtu e sapo promovuar në Superligë – e arriti fitoren e parë pas një barazimi dhe dy humbjeve në tri ndeshjet e fundit.

Ekipi i Arbnor Morinës fitoi ndaj Drenicës falë një autogoli nga Genc Hamiti në fillim të takimit.

Këto tri pikë e rikthejnë Arbërinë në pozitën e dytë në renditje, me 11 pikë, pesë më pak se lideri Ballkani dhe një më shumë se Drita, por kjo e fundit i ka tri ndeshje më pak të zhvilluara.

Drenica, në anën tjetër, ngel në pozitën e gjashtë me tetë pikë.

Ndërsa Llapi ngel në pozitën e fundit në tabelë me vetëm dy pikë dhe Besa mbetet e parafundit me vetëm katër pikë, dy më pak se vendi i tetë, Feronikeli, i fundit që e siguron qëndrimin në elitë.

Në xhiron e ardhshme, Llapi e pret Arbërinë, Besa Feronikelin, ndërsa Drenica përballet me Dritën

(Kosova Sot Online)