Interi nuk është i fortë mendërisht, thotë Lukaku

  • S.A /
  • 22 October 2020 - 09:29
Interi nuk është i fortë mendërisht, thotë Lukaku

Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, beson se skuadra zikaltër nuk është mjaftueshëm e fortë mendërisht dhe kjo po ndikon t’i lëshojë fitoret nga dora, pas barazimit 2:2 me Borussia Monchengladbach në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi belg i ndihmoi Interit me dy golat e tij ta shmangë humbjen në San Siro, pasi gjermanët e kishin përmbysur rezultatin duke kaluar në epërsi pas një penalltie të shkaktuar nga Arturo Vidal dhe golit të Jonas Hofmann.

Lukaku i shpreh i zhgënjyer pas ndeshjes, duke këmbëngulur se Interi mund të bëjë shumë më mirë se kaq.

“Për mendimin tim, ky nuk është rezultat i mirë, sepse ne mund të bëjmë më mirë. Duhet të vazhdojmë të punojmë patjetër dhe të jemi më të fortë mendërisht, pse kjo nuk është një kohë e lehtë për ne”, tha Lukaku.

Interi humbi pikë edhe në Serie A duke barazuar me Lazion dhe duke humbur ndaj Milanit.

“Tani ne duhet të jemi më të fortë, mbi të gjitha mendërisht, si dhe të luajmë më mirë në mbrojtje, sepse i pranuam dy gola nga gabimet tona. Ne bëmë shumë gabime dhe humbëm shumë mundësi në sulm, prandaj kur nuk i shfrytëzojmë ato në kushton në këtë garë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )