E nisi si kandidat i madh për titull, por “Nikli” nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit

  • S.A /
  • 23 October 2020 - 12:42
E nisi si kandidat i madh për titull, por “Nikli” nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit

Feronikeli ia kishte mësyrë kampionatit të ri me ambicie për të fituar trofe, për çka kishte bërë investime dhe ndryshime të mëdha nga kryesia e klubit e deri te skuadra dhe shtabi teknik.

Mirëpo, pas shtatë xhirove të zhvilluara ekipi nga Drenasi ka zhgënjyer me rezultate duke e shënuar vetëm një fitore krahas tri barazimeve dhe tri humbjeve. Për më tepër Feronikeli ende nuk ka arritur të fitojë as me trajnerin e ri, pasardhësin e Afrim Tovërlanit, Klodian Duro, i cili së fundmi e humbi derbin e madh me Prishtinën (1:2).

 

Drejtori i klubit bardh e gjelbër, Artan Berisha,  e pranon se rezultatet fillestare janë dëshpëruese. Por ai potencon se duhet pasur pak durim deri të vijnë efektet pozitive të ndryshimeve të mëdha.

“Është e vërtete që kemi pasur shumë ndryshime në skuadër, si brenda edhe jashtë vijave. Secili ndryshim kërkon kohë që të adaptohet dhe është normale qe kërkojmë me ngulm rezultate pozitive pasi që kemi investuar për to, por futbolli është i tillë, shpeshherë edhe të befason”, tha Berisha. Natyrisht që e analizojmë secilin rezultat dhe secilën ndeshje. Trajneri i ri i ka në kokë idetë e tij dhe do kohë që të realizohen. Jemi duke bërë përpjekje që sa më shpejtë të kthehemi në lojën tonë, edhe lojtarët por edhe kryesia”, shtoi ai.

Berisha insiston se Feronikeli nuk do të dorëzohet në ambiciet për të fituar trofe pavarësisht fillimit të dobët pasi që deri në fund të kampionatit ka edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar.

“Nuk më takon të them se cilat skuadra janë më të mira e cilat më të dobëta. Kemi mbetur mbrapa kreut të tabelës është e dukshme. Sidoqoftë, ne jemi vetëm në etapën e parë të Superligës, ka ende shumë ndeshje dhe shumë pikë po ashtu deri në fund”, thotë ai. “Mendoj se ende jemi në garë në të dy frontet”, u shpreh Berisha.

Feronikeli kishte startuar me fitore, por pastaj i regjistroi tri barazime e tri humbje, duke mos shijuar fitore qe gjashtë xhiro. Por, shpreson që fitores t’i kthehet në fundjavë si mysafir i Besës.

(Kosova Sot Online )