Prishtina kualifikohet në finalen e madhe

  • A.P /
  • 23 October 2020 - 21:01
Prishtina kualifikohet në finalen e madhe

Sigal Prishtina është kualifikuar në finale të Reload Superkupës, pasi në gjysmëfinale ka mundur Rahovecin me rezultat 84:89 (25:24, 14:25, 19:12, 15:12, 11:17).

Ndeshja nisi e baraspeshuar me të dy skuadrat që treguan vendosmëri për të triumfuar dhe për tu kualifikuar në finale e madhe që do të zhvillohet të dielën në Pejë. Në çerekun e parë herë njëra dhe hera tjetra skuadër kalonin në epërsi derisa kjo pjesë përfundoi 25:24.

 Në periudhën e dytë, bardhekaltrit nga Prishtina ishin më të mirë, ku kishin epërsi në shtatë pikë, kurse me kalimin e kohës e thelluan epërsinë dhe e fituan këtë pjesë 14:25, për të shkuar në pushim me rezultate 39:49.

Por, Rahoveci nuk u dorëzua dhe në periodën e tretë ishte skuadër më e mirë, duke e fituar 19:12, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 58:61. Në 10 minutat e fundit, u zhvillua një ‘luftë’ e ashpër në parket dhe për çdo top luftohej deri në fund e kjo bëri që përballja të ishte dramatike deri në sekondat e fundit të ndeshjes.

Prishtina kishte epërsi deri në katër pikë, por në fund Rahoveci nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë rezultatin në 73:73, 10 sekonda para fundit të ndeshjes.

Në sekondat e mbetura, Prishtina kishte edhe një aksion, por gjuajtja e Fisnik Rugovës nuk ishte e saktë dhe sfida shkoi në vazhdime. Edhe në vazhdime u zhvillua lojë shumë interesante, por Prishtina u tregua më e vëmendshme dhe në fund triumfoi me rezultat 84:89. 

Te Rahoveci u dalluan Isaiah Traylor me 26 pikë e tetë kërcime dhe Marvin Jones me 32 pikë, kurse te Prishtina më të mirët ishin Arian Qallaku me 29 pikë dhe 10 kërcime, Fisnik Rugova me 15 pikë e 14 kërcime dhe Altin Morina me 17 pikë e shtatë kërcime.

Prishtina në finale do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Ponte Prizreni-Bashkimi.

(Kosova Sot Online)