Idrizi, pas dramës kundër Ballkanit: “Nuk besuam në përmbysje”

  • A.P /
  • 25 October 2020 - 16:47
Idrizi, pas dramës kundër Ballkanit: “Nuk besuam në përmbysje”

Nga 0-3 në 4-3, Trepça ‘89 ka bërë një ndër rikthimet më të jashtëzakonshme në historinë e futbollit kosovar.

Klubi mitrovicas ia shkaktoi humbjen e parë Ballkanit në sezonin e ri të Superligës të dielën në Riza Lushta, duke i shënuar katër gola nga minuta e 64’ dhe deri në fund të takimit, për të rrëmbyer në fund pikët e plota, që fillimisht dukeshin tashmë të humbura.

Ballkani, si pretendenti kryesor për titull këtë sezon, po vinte në këtë takim plot vetëbesim dhe krijoi një epërsi të hershme, 0-3, të cilën askush nuk ka mundur ta parashikonte se nuk do ta mbante, por vendasit nga minuta e 64’ e deri në fund i befasuan të gjithë dhe shënuan katër gola për të fituar në fund 4-3.

Pas përmbysjes së madhe, ka folur edhe trajneri i mitrovicasve, Shpëtim Idrizi.

Ai e pranoi se duke parë rezultatin dhe lojën që bëri Ballkani, nuk besuan në përmbysje.

“Me të vërtetë ndeshje e jashtëzakonshme, gjithçka çka mund të them është të përgëzoj lojtarët për dëshirën, vullnetin dhe angazhimin që e treguan sot”, u shpreh ai.

“Të them të drejtën nuk e kam besuar që do e përmbysim kështu takimin, e sidomos kundër Ballkanit. Kur na u deshtë goli më së shumti futbollistët shpërthyen dhe fituam këto tre pikë”.

“Duke marrë parasysh se Ballkani ka super ekip ndoshta i respektuam pak më shumë se sa duhet, në fillim të pjesës së dytë i’u thashë futbollistëve të luanin pa presion dhe të mos shqetësoheshin për rezultatin”.

Trepça ’89 me fitoren e sotme pozicionohet në vendin e gjashtë me 11 pikë të mbledhura, kurse Ballkani mbetet përsëri lider me 19 pikë të grumbulluara.

(Kosova Sot Online)