Mustafi refuzon rinovimin me Arsenalin

  • A.P /
  • 26 October 2020 - 21:30
Mustafi refuzon rinovimin me Arsenalin

Shkodran Mustafi duket i bindur të mbyllë eksperiencën e tij te Arsenali në fund të këtij sezoni, kur edhe të ketë mbushur plot 5 vite me fanellën e “topçinjve”, pasi ka refuzuar zyrtarisht rinovimin.

Klubi londinez i ka bërë disa oferta për kontratë të re qendërmbrojtësit 28-vjeçar, por ky i fundit i ka refuzuar të gjitha dhe ditën e sotme ua ka bërë të qartë drejtuesve se dëshiron të largohet me parametra zero në fund të sezonit.

Shkodran Mustafi iu bashkua Arsenalit në verën e 2016-ës, kur londinezët paguan rreth 40 milionë euro për kartonin e tij në arkat e Valencias dhe atëherë mbrojtësi me origjinë nga Kosova nënshkroi për 5 sezone me “topçinjtë”.

Gjatë këtyre viteve Mustafi ka luajtur plot 142 ndeshje dhe ka shënuar 9 gola me fanellën e Arsenalit, por ai nuk shihet si titullar nga trajneri Mikel Arteta dhe ndaj ka vendosur të largohet në verën e ardhshme.

Sipas mediave angleze, një tjetër arsye që Mustafi dëshiron të largohet, është edhe familja e tij që prej kohësh jeton në Zvicër dhe aktualisht mbrojtësi 28-vjeçar po merr në konsideratë një rikthim në kampionatin italian apo transferim në atë gjerman.

Kampioni i Botës me Gjermaninë në vitin 2014, Shkodran Mustafi ka veshur më herët fanellat e klubeve si Sampdoria në kampionatin italian dhe Valencia në atë spanjoll, ndërsa me “pancerat” numëron 20 ndeshje dhe 4 gola.

Më herët për Mustafin ka shfaqur interes të fortë edhe klubi i Lazios, që nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me Arsenalin për vlerën e kartonit të mbrojtësit, ndërsa tani Igli Tare ka mundësi të bëjë një tjetër goditje të bujshme, duke e marrë me parametra zero.

(Kosova Sot Online)