“Imola më pëlqen shumë, duam të fitojmë një garë”

  • S.A /
  • 31 October 2020 - 10:00
“Imola më pëlqen shumë, duam të fitojmë një garë”

Formula 1 do të rikthehet këtë fundjavë në pistën italiane të Imolas, ndërsa piloti i Ferrarit Charlses Leclerc duket mjaft entuziast, kjo edhe për shkak të rritjes së ndjeshme që tregoi njëvendëshja italiane një javë më parë në Portugali.

Në një intervistë për mediat italiane, piloti nga Monaco deklaroi se i pëlqen shumë kalendari i këtij sezoni, pasi ka pista mjaft interesante si Mugello, Portimao e së fundi Imola, ku do të kryhen sot një sesion i provave të lira dhe kualifikueset, ndërsa gara do të mbahet nesër.

“Edhe pse bëhet fjalë për një kalendar special, të hartuar për shkak të rrethanave, mua personalisht më pëlqen shumë. Pista si Mugello, Portimao dhe tani Imola, janë mjaft interesante. Imola është një pistë që e pëlqej shumë, pasi nuk të jep mundësi të gabosh, megjithatë të shohim si do të sillet makina, pasi do të ishte pozitive të fitonim një garë këtë sezon”, u shpreh Leclerc.

Pista e Imola-s është historike në garat e Moto GP, ndërsa këtë sezon u bë pjesë edhe e kalendarit të Formulës 1, duke qenë se shumë vende u tërhoqën nga mbajtja e garës për këtë sezon dhe do të garohet me emrin Çmimi i Madh i Emilia Romagnas.

(Kosova Sot Online )