Wilder me akuza të rënda ndaj Fury: I forcove dorëzat, bëhu burrë dhe lufto prapë

  • A.P /
  • 01 November 2020 - 13:21
Wilder me akuza të rënda ndaj Fury: I forcove dorëzat, bëhu burrë dhe lufto prapë

Deontay Wilder beson se Tyson Fury kishte vendosur diçka të fortë në dorëzat e tij para meçit të shkurtit dhe ka kërkuar nga britaniku të bëhet burrë dhe të luftojë sërish kundër tij.

Fury e mposhti Wilderin në rimeçin e shkurtit në Las Vegas dhe e fitoi titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC, 14 muaj pasi në meçin e parë ishin ndarë baras.

Wilder tani thotë se britaniku 32-vjeçar kishte futur diçka të fortë brenda dorëzave, gjë që është mohuar nga Fury tashmë.

“Ajo është arsyeja pse njëra pjesë e fytyrës m’u ënjt dhe m’u hap një vrimë në fytyrë, po ashtu”, tha Wilder.

Amerikani 35-vjeçar e publikoi një video, në të cilën shihet edhe Ricky Hatton – i cili ishte në ekipin e Fury – duke ia prekur dorëzat mes rundeve gjatë barazimit të tyre në luftën e Los Anxhelosit në dhjetor të 2018-s.

“Unë besoj fuqishëm se ata kishin futur diçka të fortë në dorëzat e tij”, tha Wilder në video.

Nuk ka dëshmi që Fury ka bërë diçka të palejueshme dhe ai tashmë i ka mohuar këto akuza.

Wilderi i bën thirrje Furyt po ashtu që ta nderojë marrëveshjen me të dhe të luftojë kundër tij për herë të tretë.

Fury kishte marrëveshje me Wilderin për trilogji këtë verë, por shtyrjet kanë bërë që Fury të kërkojë kundërshtar tjetër dhe të theksojë se ujdia mes tyre ka skaduar.

(Kosova Sot Online)