Zidane: “Kundër Interit, lojtarët duhet të tregojnë se meritojnë ta veshin fanellën e Realit”

  • G.G /
  • 02 November 2020 - 21:08
Zidane: “Kundër Interit, lojtarët duhet të tregojnë se meritojnë ta veshin fanellën e Realit”

Real Madridi njoftoi paraditen e sotme se mbrojtësi brazilian Eder Militao është prekur nga koronavirusi dhe rrjedhimisht nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës për ndeshjen ndaj Interit nesër në Ligën e Kampionëve.

Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Zinedine Zidane e cilësoi një mungesë të rëndësishme atë të brazilianit, por theksoi se pret që futbollistët e tij të tregojnë veten nesër në fushë dhe të marrin tre pikët.

“Real Madridi është një klub që synon gjithmonë triumfin në Ligën e Kampionëve dhe nesër pres që futbollistët të tregojnë pse mbajnë veshur fanellën e kësaj skuadre. Ne duhet të shqetësohemi vetëm për të luajtur mirë dhe për të marrë rezultate, pa u ndalur te zërat e tjerë që vijnë nga jashtë ekipit”, u shpreh trajneri i Realit.

Zinedine Zidane do të gjejë përballë Antonio Conten, të cilin e ka pasur shok dhe kapiten skuadre te Juventusi, ndërsa pranoi se kur nisi rrugëtimin për t’u bërë trajner, shkoi të ndjekë edhe seancat stërvitore të italianit.

“Me Conten nuk kam folur së fundi, por te Juventusi ka qenë shumë i rëndësishëm si kapiten skuadre dhe nuk më surprizon që ka ecur shumë edhe si trajner. Kur vendosa të nis këtë rrugë, shkova të ndjek seancat e tij te Juventusi dhe më impresionoi me mënyrën e punës. Interi ka një skuadër shumë të fortë fizikisht, por që di të luajë mirë edhe me topin, ndaj na pret një përballje e vështirë nesër”, tha Zidane.

Disa ditë më parë u fol se e ardhmja e Zidane ishte “në fije të perit”, por Reali reagoi mirë dhe fitoi El Clasicon ndaj Barcelonës në “Camp Nou”. Megjithatë hijet e dyshimit janë rikthyer sërish, pasi Reali ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshje në Champions dhe nëse humb ndaj zikaltërve do të komplikojë plotësisht kualifikimin.

“Nuk mendoj aspak për të ardhmen time. Mendoj gjithmonë pozitivisht, të përgatisim ndeshjen mirë dhe të bëjmë një lojë të bukur, më pas rezultatin do ta tregojë fusha”, tha trajneri francez.

(Kosova Sot Online)