A po e paralajmëron Bernard Berisha rikthimin në Kombëtare!?

  • S.A /
  • 03 November 2020 - 12:09
A po e paralajmëron Bernard Berisha rikthimin në Kombëtare!?

A po e paralajmëron Bernard Berisha rikthimin në Kombëtare!?

Futbollisti kosovar ishte lënë jashtë ekipit kombëtar të Kosovës nga trajneri Bernard Challandes për ndeshjet e tetorit. Por, përmes një postimi në rrjetet sociale, futbollisti pejan në njëfarë mënyre e ka paralajmëruar rikthimin tek “Dardanët” për ndeshjet e nëntorit

Bernard Berisha ia kishte parë sherrin festimit të golit në ndeshjen me Greqinë në muajin shtator në Ligën e Kombeve, kur krejt mllefin e tij për mosaktivizim për dy vjet të tëra e kishte shprazur në trajnerin Bernard Challandes.

Më pas, përzgjedhësi i ekipit kombëtar të Kosovës i ishte hakmarrë futbollistit pejan duke e lënë jashtë listës për ndeshjet e rëndësishme të tetorit, ku Kosovës iu shuan shpresat për kualifikim në Euro 2020 pas humbjes nga Maqedonia e Veriut.

Sidoqoftë, 29 vjeçari vazhdoi me formë të shkëlqyeshme në ekipin rus, Akhmat Grozny duke shënuar gola dhe duke dhuruar asistime në javët e fundit.

Ky fakt ka bërë që krejt tifozët të presin dhe shpresojnë për një ftesë të futbollistit ofanziv për ndeshjet e nëntorit tek “Dardanët”.

Madje, shumë prej tyre mendojnë se Berishës i është bërë e padrejt dhe se prezenca e tij do të ndikonte në paraqitje më të mira të Verdhekaltërve në angazhimet e tetorit duke e pasur parasysh formën e tij optimale.

Trajneri Challandes nuk e ka publikuar ende listën e futbollistëve të ftuar për duelin miqësor me Shqipërinë dhe për sfidat e Ligës së Kombeve ndaj Sllovenisë dhe Moldavisë.

Sidoqoftë, përmes një postimi në rrjetet sociale, futbollisti i krahut të majtë e ka paralajmëruar në njëfarë mënyre rikthimin në Kombëtare.

“Gjithmonë i gatshëm për ty Kosova ime”, ka shkruar Berisha në “Facebook”, postim ky që më pas është fshirë.

Për momentin, zyrtarë të Përfaqësueses së Kosovës nuk i kanë dhënë përgjigje  nëse do të ftohet Berisha apo jo në ndeshjet e nëntorit.

As vetë futbollisti s’ka dashur të komentojë rreth rikthimit të tij eventual në ekipin kombëtar.

Mbetet të shihet nëse trajnerit Challandes i ka kaluar inati ndaj Berishës…

(Kosova Sot Online )