Ibrahimovic po shkëlqen, Milani e ka gati ofertën e re për të

  • S.A /
  • 04 November 2020 - 15:24
Ibrahimovic po shkëlqen, Milani e ka gati ofertën e re për të

Vitet janë thjesht numra për një si Zlatan Ibrahimovic, që ndonëse me 39 të tillë mbi supe, po kalon një rini të dytë me fanellën e Milanit, pasi ka shënuar 7 gola në 4 ndeshje në kampionat dhe po udhëheq kuqezinjtë në kreun e renditjes së Serisë A.

Sulmuesi suedez u rikthye në Milano dhjetorin e kaluar dhe gjatë kësaj vere rinovoi kontratën deri në qershor të 2021-shit me kuqezinjtë, por tani Maldini e Gazidis po mendojnë t’ia zgjasin edhe më tej bashkëpunimin.

Forma mjaft e mirë e Ibrës, por edhe roli i tij prej lideri në një organikë të mbushur me futbollistë të rinj të talentuar, po josh drejtuesit kuqezinj që ta mbajnë suedezin edhe një sezon tjetër në skuadër.

Nga ana tjetër edhe vetë sulmuesi 39-vjeçar ka si synim rinovimin me Milanin, pasi dëshiron të luajë sërish në Champions League, kompeticion në të cilin nuk luan që prej vitit 2017, kur u aktivizua në një ndeshje të vetme me fanellën e Manchester United.

Një tjetër arsye që mund t’i shtyjë palët të rinovojnë, është edhe fakti që sezonin e ardhshëm Ibra do të ketë 40 vite mbi supe dhe politikat fiskale italiane janë të atilla që do lehtësonin peshën e pagës së lartë të suedezit.

Kështu krahas emrave si Donnarumma, Calhanoglu dhe Franck Kessie, tani Maldini ka vënë në agjendë edhe rinovimin me Ibrën, ndërsa suedezi ka marrë përsipër jo vetëm të rikthejë Milanin në Champions, por të luajë atje me flamurin trengjyrësh të stampuar në bluzë.

(Kosova Sot Online )