Federata e Basketbollit të Kosovës shtynë krejt ndeshjet, shkaku i Covidit

  • E.K /
  • 06 November 2020 - 21:15
 Federata e Basketbollit të Kosovës shtynë krejt ndeshjet, shkaku i Covidit

Federata e Basketbollit të Kosovës me anë të një njoftimi ka njoftuar tërë klubet, anëtarë të saj, se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e fundit, ku thuhet se nuk do të zhvillohen aktivitet sportive në palestra, ka anuluar ndeshjet e parapara të mbahen gjatë këtij vikendi

Sipas këtij vendimi, në pikën 2 të vendimit të Qeverisë thuhet se “pezullohen paragrafët 7, 8, 11, 12, 13, 14, 20”, e ku përfshihën në këtë vendim.

Më poshtë njoftimi i FBK-së

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjitha klubet anëtare të saj se bazuar në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 06.11.2020 prej sot, të shtunën e të dielën nuk do të zhvillohen ndeshjet e basketbollit të parapara me kalendarët e garave, më saktësisht nuk do të zhvillohen aktivitetet sportive në palestra.

Qeveria e Republikës së Kosovës të premten e ka publikuar vendimin që ndalon veprimtarinë e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë në tërë territorin e Kosovës nga sot në ora 20:00 e deri të hënën në ora 05:00.

Në pikën 2 të Vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës thuhet: “Pezullohen paragrafet 7,8,11,12,13,14,20 e vendimit të qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas dispozitivit 1 të këtij vendimi”.

Pra, Vendimi i Qeverisë së Kosovës pezullon edhe pikën 12 të një vendimi të 1 nëntorit, që thotë: “Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuar në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive”.

Federata e Basketbollit e Kosovës njofton të gjitha klubet anëtare të saj, si dhe gjithë komunitetin e basketbollit e opinionin e gjerë se në bashkëpunim me institucionet e vendit tonë në ditët në vazhdim do të bëjë të ditur ecurinë e garave të saj.

(Kosova Sot Online)