Lukaku është kthyer, Conte i brengosur me lëndimet e shpeshta të Sensit

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 16:03
Lukaku është kthyer, Conte i brengosur me lëndimet e shpeshta të Sensit

Pas humbjes zhgënjyese në Madrid dhe para grumbullimit të përfaqësueseve, Interi do të duhet të kalojë një test mjaft të vështirë nesër, siç është ai ndaj Atalantës në Bergamo, një skuadër që prej vitesh ushtron një futboll shumë të bukur e rezultativ.

Trajneri i zikaltërve, Antonio Conte doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për rëndësinë e ndeshjes nesër dhe lajmëroi se Romelu Lukaku është stërvitur me skuadrën dhe se do të udhëtojë me ekipin në Bergamo.

Si është gjendja e skuadrës para transfertës në Bergamo?
Ashtu si shumë skuadra të tjera, jemi para ndeshjes së 7 në 20 ditë dhe sigurisht që ka pak lodhje, por edhe dëshirë të madhe për të bërë mirë. Do të bëjmë llogaritë e duhura, për të kuptuar se kush është më shumë i lodhur dhe për të aktivizuar lojtarët më në formë.

Si është humori në skuadër pas humbjes në Madrid? A është rikuperuar Lukaku?
Humori është ai i duhuri për të përballur një ndeshje si kjo ndaj Atalantës. Lukaku është stërvitur sot me skuadrën dhe do të vijë me ne në Bergamo, por më pas do shohim a do luajë apo jo.

Çfarë duhet të bëni për të përsëritur ndeshjen e sezonit të kaluar, kur fituat 0-2 në Bergamo?
Atalanta është një skuadër shumë e mirë-organizuar dhe drejtohet nga një trajner si Gasperini, që është aty prej disa vitesh dhe u jep siguri lojtarëve. Ata bëjnë presion të shpejtë te futbollistët që kanë topin dhe janë shumë të fortë në fazën ofensive. Megjithatë për t’ia dalë duhet të bëjmë një ndeshje të madhe.

Më mirë loja e bukur, apo një lojë e shëmtuar dhe fitore?
Unë nuk e kuptoj fitoren duke luajtur keq. Ne duhet të luajmë gjithmonë e më mirë, pasi kështu merren edhe rezultatet.

Ju shqetëson renditja?
Ne duhet të shqetësohemi për të bërë më të mirën në fushën e lojës, pasi nëse bëjmë mirë punën tonë, atëherë do të vijnë fitoret dhe do të ngjitemi lart në renditje. Nëse më pas paraqitemi keq, atëherë është e drejtë që të jemi disi më larg kreut.

Çfarë mungon për të bërë hapin kualitativ?
Flitet për pak dhe për momentin na mungon ajo pak. Duhet të punojmë me kokën ulur, për të përmirësuar atë pak që na mungon. Nëse mungon diçka, atëherë do të thotë që nuk e kemi bërë hapin e duhur.

Ju shqetëson fakti që luani në një zonë të kuqe për shkak të koronavirusit?
Është e kotë ta fshehim që ndikon edhe ky fakt, pasi numri i të prekurve po rritet çdo ditë dhe vazhdimisht përballemi me futbollistë të infektuar, apo familjarë të tyre. Shpesh i përgatisim ndeshjet pa të gjithë futbollistët, për shkak të rezultateve të testeve, por jemi të detyruar të shkojmë përpara dhe të luajmë futboll. Shpesh disa harrojnë që para aspektit sportiv, është ai njerëzor dhe situata të tilla bëhen të vështira për t’u menaxhuar.

Çfarë ndryshon në drejtimin e një skuadre, kur ke 5 zëvendësime në dispozicion? Në Madrid, si ju edhe Zidane përdorët vetëm 3…
Sa mirë që edhe Zidane bëri vetëm tre zëvendësime, pasi do të merreshit vetëm me mua pastaj. Kur ke 5 zëvendësime në dispozicion, është mirë sepse mund të ndryshosh ritmin e ndeshjes, me aktivizimin e futbollistëve të freskët, por më parë duhet t’i kesh në dispozicion të gjithë. Ne në Madrid nuk kishim Lukakun e Sensin, ashtu si Sanchez nuk kishte formën e duhur dhe pa pasur të gjithë në maksimum, nuk mund të shfrytëzosh zëvendësimet.

Si është situata e Sensit?
Për gjendjen e tij duhet të flisni me mjekët dhe stafin e rehabilitimit. Për sa na takon neve, po bëjmë maksimumin, por pa rezultat, pasi lojtari ka qenë thuajse gjithmonë i padisponueshëm. 

(Kosova Sot Online)