Messi shkëlqen me dy gola në fitoren e Barcelonës kundër Betisit

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 18:26
Messi shkëlqen me dy gola në fitoren e Barcelonës kundër Betisit

Barcelona e ka mposhtur Real Betisin në Camp Nou me rezultat 5-2 në një ndeshje që u vendos në pjesën e dytë e ku Messi shënoi dy gola, një nga penalltia dhe një nga ndeshja e hapur

Lionel Messi ka shkëlqyer në 45 minutat e pjesës së dytë të Barcelonës, e ku skuadra arriti që t’i fitojë tri pikë kundër Real Betisit.

Gjithçka filloi në pjesën e parë ku Griezmann asistoi për Dembele e ku ky i fundit me një të majtë të fuqishme shënoi golin e parë për Barcelonën në minutën e 22-të.

Barcelona do të mund të shënonte edhe golin e dytë sikur Griezmann ta shndërronte në gol penalltinë që e fitoi Fati në minutën e 33-të.

Real Betis do ta barazonte rezultatin në minutën e parë shtesë të pjesës së parë me anë të Sanabrias.

Messi do ta zëvendësonte Ansu Fatin në pjesën e dytë dhe tërë ndeshja do të ndryshonte. Barcelona do ta shënonte golin e dytë në minutën e 49-të dhe pastaj në minutën e 62-të do të shënonte gol edhe Lionel Messi nga penalltia.

Moron do ta kthente Betisin në lojë pasi që shënoi gol në minutën e 74-të, por Messi përsëri do të dilte në qendër pasi që shënoi gol tjetër, kësaj radhe nga loja e hapur, në minutën e 82-të.

Golin përfundimtar e shënoi Pedri në minutën e 90-të. Kjo fitore e dërgon Barcelonën në vendin e tetë më 11 pikë nga shtatë ndeshje të zhvilluara, por kujtojmë se Blaugrana ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. 

(Kosova Sot Online)