I futur në lojë në vend të Muriqit, Caicedo e shpëton Lazion nga humbja kundër Juventusit

  • E.K /
  • 08 November 2020 - 16:21
 I futur në lojë në vend të Muriqit, Caicedo e shpëton Lazion nga humbja kundër Juventusit

Felipe Caicedo e ka shpëtuar Lazion nga humbja kundër Juventusit, pak pasi u fut në lojë në vend të Vedat Muriqit, duke e shënuar një gol tejet të vonshëm por të vlefshëm për një barazim 1:1 të dielën në Serie A.

Cristiano Ronaldo e kaloi Juven në epërsi herët në ndeshje, por Caicedo i ardhur nga stoli shënoi për t’ia siguruar Lazios një barazim në minutën e 95-të në Stadiumin Olimpik në Romë.

Ndeshja u kontrollua dhe mbizotërua në posedim nga skuadra e Simone Inzghnit, por djelmoshat e Andrea Pirlos patën shanse më të mira për shënim.

Ronaldo – i cili ishte në dyshim për shkak të një shqetësimi – e kaloi Juven në epërsi pas një çereku lojë, kur e futi topin në rrjetë nga rreth tri metra lartësi pas një harkimi nga Juan Cuadrado.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, portugezi ka mundur ta dyfishonte epërsinë, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Muriqi – i cili ishte titullar për takimin e dytë radhazi në ligë në mungesë të Ciro Immobiles – i pati dy mundësi shumë të mira për ta shënuar golin e parë në fanellën e Lazios.

Përfaqësuesi i Kosovës dështoi ta fut topin në rrjet nga një metër largësi, pasi u vonua ta zërë pasimin fantastik të serbit Sergej Milinkovic-Savic në shtyllë të dytë.

Pak momente me vonë, 26-vjeçari gjuajti fuqishëm me të majtën, por topi i tij e goditi vetëm rrjetën e jashtme të portës së Juves.

Muriqi tani i ka shtatë ndeshje pa gol për Lazion, në shumicën e të cilave ka luajtur si zëvendësues, megjithatë.

Inzaghi e nxori Muriqin nga loja për t’i liruar vend Caicedos, dhe vendimi e tij doli të ishte i duhuri.

Pas përpjekjeve të pareshtura për ta barazuar rezultatin dhe kur u duk se një gjë e tillë ishte e pamundur, duke e parë mbrojtjen e palëkundshme të bardhezinjve, Lazio ia doli në sekondat e fundit.

Caicedo shënoi duke e përdorur forcën në mesin e disa mbrojtësve të Juves, pas një pasimi nga Joaquin Correa.

Lazio renditet e nënta me 11 pikë pas këtij barazimi, vetëm dy më pak se Juventusi në pozitën e tretë.

(Kosova Sot Online)