Mourinho: Tottenhami do të bëhej kampion në ligat e tjera evropiane, zor në Premierligë

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 10:18
Mourinho: Tottenhami do të bëhej kampion në ligat e tjera evropiane, zor në Premierligë

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, beson se klubi londinez do të luftonte për titull në ligë në shumë vende nëpër Evropë, por do ta ketë të vështirë ta fitojë kurorën e Premierligës.

Skuadra e Mourinhos e mundi 1:0 West Bromin të dielën falë një goli të vonshëm nga Harry Kane dhe u ngrit në pozitën e dytë në Premierligë.

Tottenhami i ka fituar tri ndeshjet e fundit në ligë dhe nuk ka humbur që prej ndeshjes hapëse kundër Evertonit.

Duke qenë se tani për tani nuk ka favorit të qartë për titull, Tottenhami është vlerësuar si pretendent serioz, por Mourinho nuk është pajtuar plotësisht.

“Mund të them se ky ekip do të mundë të shpallej kampion në shumë vende evropiane”, tha Mourinho të dielën.

“Në Premierligë është më së vështiri, sepse në Premierligë mund ta bësh një sezon të mirë, të fitosh shumë pikë, por në fund Liverpooli, Man City, Chelsea, Man United, Leicester, Arsenal. Pra mund ta kesh një sezon të mirë dhe të mos bëhesh kampion. Çfarë mund të bëjmë ne? Shkojmë ndeshje pas ndeshjes. Përpiqemi të fitojmë, nuk na bën për të tjerët”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)