Milinkovic-Savic dhe Kolarov iu ikin autoriteteve italiane për të luajtur për Serbinë

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 14:46
Milinkovic-Savic dhe Kolarov iu ikin autoriteteve italiane për të luajtur për Serbinë

Mesfushori i Lazios, Sergej Milinkovic-Savic, dhe mbrojtësi i Interit, Aleksandar Kolarov, kanë mbërritur në Beograd të dielën mbrëma për t’iu bashkuar Kombëtares së Serbisë për ndeshjen jetike për kualifikim në Euro 2020, në kundërshtim me ndalesën e autoriteteve italiane për Covid-19.

Milinkovic-Savic dhe Kolarov udhëtuan drejt kryeqytetit serb me aeroplanë privatë.

Serbia do të përballet me Skocinë në finale të play-off për Kampionatin Evropian 2020 këtë të enjte dhe nëse fiton atëherë do ta sigurojë një vend në turneun e verës së ardhshme.

Paraqitja e tyre për Serbinë ishte në dyshim serioz kur të dielën autoritetet italiane morën një vendim të ri për masat anti-koronavirus.

Lojtarëve nga klubet si Fiorentina, Genoa, Inter, Lazio, Roma dhe Sassuolo u ndalohet t’iu bashkohen kombëtareve të tyre për shkak se detyrohen të futen në karantinë, sepse në klubet e tyre është gjetur të paktën një rast me koronavirus brenda kësaj jave.

Megjithatë, dyshja serbe e Lazios dhe Interit ia ka hedhur duke u larguar për t’iu bashkuar Kombëtares së vet në nevojë.

Mësohet se ata kanë udhëtuar drejt Beogradit ndaras me aeroplan privat.

Ndërkohë, Kosova nuk ia doli ta sigurojë kapitenin e vet Amir Rrahmanin për të luajtur në gjysmëfinale të play-off kundër Maqedonisë – të cilën e humbi – për shkak se autoritetet në Napoli s’i lejuan lojtarët e Napolit të largoheshin nga qyteti për shkak të Covid-19.

Për më tepër, është konfirmuar se Kosovës do t’i mungojnë Milot Rashica i Werder Bremen dhe Leart Paqarada i St. Pauli për arsyeje të njëjta.

Mungesë pritet të jetë edhe bashkëlojtari i Milinkovic-Savic te Lazio, Vedat Muriqi. 

(Kosova Sot Online)