Juventusi i Pirlos, i dyti më i dobët i dekadës së fundit

  • G.G /
  • 10 November 2020 - 14:06
Juventusi i Pirlos, i dyti më i dobët i dekadës së fundit

Juventusi i këtij sezoni është një paradoks. Skuadra bardhezi nuk shkëlqen, por po rritet. Barazimet janë më shumë se fitoret. Statistikat duket se e penalizojnë, por vendi i parë është vetëm katër pikë larg.

Shifrat tregojnë se starti me Andrea Pirlon në stol është i dyti më i keq i dekadës së fundit, i këtij cikli fitues që solli nëntë tituj radhazi të kampionatit dhe është ende në progres.

Pas shtatë ndeshjesh, bardhezinjtë kanë grumbulluar vetëm 13 pikë, si rezultat i 3 fitoreve (një prej tyre e marrë në tavolinë me Napolin) dhe 4 barazimeve. Më keq kishte startuar Massimiliano Allegri në sezonin 2015-16. Në atë kohë (sezoni i dytë i Allegrit), në këtë pikë të kampionatit Juventusi ishte një ekip në krizë të plotë: i 12-ti në renditje me vetëm 8 pikë (2 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje).

Në vitet e tjera, nga 2011-12 deri më sot, “Zonja e vjetër” kanë bërë gjithnjë më shumë dhe më mirë. Juvja e Pirlos kishte një fillim të pranueshëm, me ulje dhe ngritje, mundësi të humbura dhe pikë të çuara dëm (ndaj Crotones, Veronës dhe Lazios).

Krahasimi me Juven e Sarrit tregon se sot ka 6 pikë më pak se vitin e kaluar (kishte 19). Ka pësuar numër identik golash (6), por kishte shënuar më shumë (15). Mesatarja e pikëve për ndeshje këtë sezon është 1.86 kundrejt 2.71 të një viti më parë.

Krahasimi me Juventusin e vitit të parë të Allegrit (2014-15), tregon praktikisht të njëjtin hendek: gjashtë pikë më pak, një gol më shumë i shënuar (15 kundër 14) dhe një më shumë i pësuar (6 kundër 5).

Pozitiv është fakti që numrat janë të njëjtë me atë të Juves së sezonit të parë të Contes. Ngjashmëritë nuk kanë të bëjnë vetëm me renditjen. Edhe atëherë numri i pikëve ishte 13 dhe sapo kishte nisur një projekt i ri teknik dhe siguritë u përvetësuan gradualisht, derisa u arrit në objektivin madhor, që ndoshta nuk pritej aq shpejt.

Në krahasim me sezonin 2011-12, Juventusi është sot më i fortë dhe me më shumë përvojë, pas nëntë vitesh tepër të suksesshme, ka një skuadër me cilësi më të lartë dhe mbi të gjitha mund të mbështetet te Cristiano Ronaldo. Sigurisht që ishte e arsyeshme të kishte pritshmëri më të larta sa u përket rezultateve.

(Kosova Sot Online)