Messi e ka dëshmuar se ende është më i miri në botë – thotë Koeman

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 08:46
Messi e ka dëshmuar se ende është më i miri në botë – thotë Koeman

Lionel Messi vazhdon të jetë futbollisti më i mirë në botë dhe ai e bën Barcelonën ekip më të mirë kur është pjesë e tij, thotë trajneri i Barçës, Ronald Koeman.

Përfaqësuesi i Argjentinës u la në stol për herë të parë që prej shtatorit të 2019-s në fitoren e Barçës 5:2 kundër Real Betisit në Camp Nou.

Ai kishte dështuar të shënonte gol apo të asistonte nga loja e hapur në gjashtë ndeshjet e para të këtij sezoni, para takimit të së shtunës.

Por Koeman e mohoi se e kishte lënë në stol për shkak të formës dhe tregoi se ishte për shkak të një dëmtimi të vogël.

Messi u fut në lojë nga stoli dhe shënoi nga loja e hapur, pasi paraprakisht kishte realizuar nga penalltia për herë të pestë këtë sezon në të gjitha garat.

Koeman ka këmbëngulur se ka besim të plotë në gjashtë herë fituesin e Topit të Artë, i cili jo më larg se verën e kaluar e kërkoi me ngulm largimin nga Camp Nou.

“Messi ma ka dëshmuar se është person i cili dëshiron të fitojë trofe dhe të vazhdojë të jetë më i miri, edhe pse ka pasur probleme me klubin”, tha Koeman.

“Barcelona ka qenë dhe gjithmonë do të jetë ekip më i mirë me Messin. Kur erdha, më thanë se Messi ishte i palumtur. Ne biseduam në shtëpinë e tij dhe ai m’i shpjegoi arsyet. Unë isha i sinqertë. I thashë se gjëja e vetme ishte sistemi, pozita e tij në fushë, rëndësia e tij në ekip. Problemin që e kishte me klubin nuk mund ta ndryshoja”, shtoi ai.

“Ai kishte probleme në verë, por që prej se u rikthye në stërvitje ka qenë shumë i mirë”.

(Kosova Sot Online)