Nis takimi miqësor Shqipëri – Kosovë

  • S.A /
  • 11 November 2020 - 16:12
Nis takimi miqësor Shqipëri – Kosovë

Ka nisur takimi miqësor mes Shqipërisë dhe Kosovës në Elbasan, me kuqezinjtë që e shkelmuan topin të parët nga pika e mesit të fushës.

Shqipëria është mikpritëse e Kosovës në takimin që po vlerësohet si vëllazëror në stadiumin Elbasan Arena.

Muharrem Sahiti, ndihmëstrajneri që do ta udhëheqë Kosovën në mungesë të trajnerit Bernard Challandes i cili mungon pasi u infektuar me koronavirus, është futur me një formacion shumë të fortë për këtë miqësore.

Mbrojtësi premtues i St. Gallen Fazliji do të luajë titullar për herë të parë për Kosovën pas ftesës që e mori për ndeshjet e këtij muaji.

Ish-mbrojtësi i Kombëtares U21 të Zvicrës ka një të ardhme premtuese dhe e zgjodhi Kosovën në nivelin e lartë.

Titullarë do të luajnë edhe Vedat Muriqi i Lazios, Amir Rrahmani i Napolit, Bernard Berisha i Akhmat Grozny dhe Hekuran Kryeziu i Zurich, të cilët munguan në ndeshjet e tetorit.

Aliti do të luajë në krahun e majtë si rrallëherë, ndërkohë që Bersant Celina dhe Lirim Kastrati do ta ndihmojnë Muriqin dhe Berishën në sulm.

Në portë do të jetë Arijanet Muriqi i përhershëm.

Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, në anën tjetër, u ka dhënë mundësi shumë lojtarëve të rinj të luajnë titullar ashtu siç premtoi para këtij takimi.

(Kosova Sot Online )