
Mbrojtësi i Kroacisë del pozitiv për COVID-19 gjatë ndeshjet me Turqinë, zëvendësohet

Qendërmbrojtësi i Kroacisë, Domagoj Vida, u zëvendësua në pushimin mes pjesëve gjatë ndeshjes miqësore me Turqinë të mërkurën, pasi kishte dalë pozitiv në testin për COVID-19.
Vida, megjithatë, kishte dalë negativ bashkë me pjesën tjetër të kombëtares kroate në testin e bërë të hënën.
Në testin e bërë në mëngjesin e ditës së ndeshjes të mërkurën, e cila u mbyll baras 3:3, Vida doli pozitiv dhe rezultatin e kuptoi kur ishte duke luajtur.
Si pasojë, 31-vjeçari – i cili luan për Besiktasin, u nxor nga loja në pushimin mes pjesëve dhe u fut në karantinë dhe infektimi i tij me koronavirus u konfirmua pas një testi tjetër urgjent.
Federata e Futbollit e Kroacisë e zbuloi këtë pas ndeshjes dhe këmbënguli se i është përmbajtur protokollit të UEFA-s.
“Shërbimi mjekësor i ekipit kombëtar të Kroacisë e mori një njoftim fillestar gjatë pushimit mes pjesëve se kishte një rezultat pozitiv. Kjo është procedurë e zakonshme e testimit dhe gjetjet e dyshimta ritestohen për ta konfirmuar rezultatin”, thuhet në njoftimin e federatës kroate.
“Vida do t’i kalojë ditët e ardhshme në vetizolim në Stamboll, në përputhje me rregulloret”, thuhet tutje në njoftim.
(Kosova Sot Online)