Shqipëria ende ka shanse: “Të përqendruar, do t’ia dalim të marrim rezultatet që duam”

  • E.K /
  • 12 November 2020 - 17:09
 Shqipëria ende ka shanse: “Të përqendruar, do t’ia dalim të marrim rezultatet që duam”

Ylber Ramadani ishte një tjetër futbollist që trajneri Reja i kishte besuar aktivizimin nga minuta e parë në ndeshjen e djeshme ndaj Kosovës.

Futbollisti luajti para mbrojtjes dhe bëri mirë punën si barrikada e parë për aksionet sulmuese të kundërshtarëve, por ndihmoi jo pak edhe në shpërndarjen e topave dhe nxjerrjen e skuadrës përpara.

Sot Ramadani ishte në krah të Bekim Balajt në një konferencë për shtyp nga ambienti i grumbullimit të Kombëtares Shqiptare, ku foli për dy takimet e radhës dhe shprehu gatishmërinë për të luajtur sërish nga minuta e parë.

Shqipëria do të përballet me Kazakistanin me 15 nëntor dhe me Bjellorusinë me 18 nëntor.

A besoni se mund të përsëritim suksesin edhe në dy ndeshjet e ardhshme?
Janë të dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe duam të marrim maksimumin. Duhet t’i marrim me radhë dhe të bëjmë më të mirën, duke luajtur të përqendruar. Besoj se do t’ia dalim të marrim rezultatet që duam.

Mund të na penalizojnë mungesat për dy takimet e radhës?
Mund të ndikojnë pak, por gjithsesi të gjithë që janë këtu, janë gati të bëjnë shumë mirë në fushë. Dihen vlerat e atyre që mungojnë, por kemi në grup futbollistë që mund t’i zëvendësojnë dhe të bëjnë po aq mirë. Jemi një grup që punojmë prej kohësh bashkë dhe dimë mirë të përshtatemi me njëri-tjetrin.

E shikon veten pjesë të formacionit për ndeshjet e radhës?
Unë vij gjithmonë për të luajtur, por formacionin e vendos trajneri. Unë jam gati të bëj më të mirën në stërvitje dhe sa herë të më jepet rasti në fushën e lojës, për të shpërblyer besimin.

(Kosova Sot Online)